Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është kthyer sërish në një mollë sherri mes Presidencës dhe Kuvendit. Ky organ prej gati dy vitesh nuk ka funksionuar asnjëherë dhe gjithmonë ka pasur sherre e debate. Përplasja mes ambasadorit Donald Lu dhe ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla ndodhi pikërisht për këtë çështje, ndërkohë që në muajin gusht pati përplasje Meta-Ruçi sa i takon vakancave të krijuara. Por teksa presidentit refuzoi të hidhte shortin, në fillim të dhjetorit duhet të zgjidhen anëtarët e rinj. Sipas ligjit, çdo vit hidhet shorit për 9 anëtarët e KED.
Shumica e institucioneve të drejtësisë kanë dorëzuar në Presidencë emrat që plotësojnë kushtet për në KED, por nuk ka ndodhur aspak kështu me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sipas ligjit, institucioni i drejtuar nga Ilir Meta duhet të propozojë kandidatët nga gjyqësori, por nuk ka ndodhur aspak kështu. KLD ka refuzuar të dërgojë kandidatë me argumentin se nuk ka asnjë të drejtë.
Sipas burimeve të gazetës, KLD ka argumentuar se ka skaduar afati i dispozitave tranzitore për KED dhe është e drejtë e Këshillit të Lartë Gjyqësor që të propozojë emrat e rinj. Por një tjetër pengesë që pritet të sjellë Meta është dhe sa i takon hedhjes së shorit. Sipas dispozitave tranzitore nga data 1-5 dhjetor i takon presidentit të hedhë shortin për anëtarët e rinj.
Nëse ai e refuzon është e drejtë e Kuvendit që të hedhë shortin në datat 6 deri në 10 dhjetor. Gazeta ka mësuar se presidenti do e refuzojë shortin, po me argumentin dispozitat tranzitore kanë skaduar dhe kandidatët nga gjyqësori dhe prokuroria duhet të vijnë nga KLGJ dhe KLP.
Por nuk është lexuar aspak kështu ligji nga përfaqësuesit e prokurorisë dhe 2 gjykata, pasi shumica kanë dorëzuar kandidatët. Gazeta ka mësuar se pas Metës, Kuvendi do të mblidhet të hedhë shortin. Por ky veprim mund të bllokohet duke qenë se nuk ka përfaqësues nga KLD. Mbetet të shihet nëse shorti do hidhet për emrat që kanë vajtur, apo do duhet të gjendet gjuha e përbashkët me KLD. Megjithatë kjo çështje pritet të përplasë fort Presidencën me Kuvendin.
Emrat e propozuar
Sipas ligjit për organet e reja të drejtësisë, KED përbëhet: dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese; një gjyqtar i Gjykatës së Lartë; një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme; dy gjyqtarë nga Gjykatat e Apelit; dy prokurorë nga zyrat e prokurorisë pranë Gjykatave të Apelit; një gjyqtar nga Gjykatat Administrative.
Sa i takon listës së dorëzuar në Presidencë, Gjykata e Lartë i ka dërguar presidentit 3 emra: Ardian Dvorani, Medi Bici dhe Edmond Islamaj. Dy të parët kanë kandiduar edhe për Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka dërguar emrat e kryetarit Bashkim Dedja dhe anëtares Vitore Tusha.
Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar emrin e Arta Markut, ndërkohë që janë dërguar emra nga prokuroritë e Apeleve. Por Këshilli i Lartë i Drejtësisë mendon krejt ndryshe. Ky organ nuk ka dërguar asnjë emër në Presidencë nga Gjykata e Apelit dhe Gjykatat Administrative.
Por kjo lëvizje rrezikon të hedhë në erë reformën në drejtësi. KED është organ kyç për zhbllokimin e Kushtetueses dhe pa të kjo gjykatë do vijojë të jetë e bllokuar. Meta pret ngritjen e KLGJ dhe KLP. Por zyrtarizmi i këtyre organeve do të dojë dhe disa javë kohë dhe sinjalet janë se reforma do të zvarritet.
Kliti Topalli