Nga Fatjon Baze
“Besoj kam fatin e madh të kem një president të cilin e ëndërron çdo trajner. Një president që mbi të gjitha i ka dhënë federatës në tetë vjet diçka të jashtëzakonshme.
Është një njeri që më lë të punoj, i cili ndan mendime me mua, flasim, diskutojmë për gjithçka dhe pastaj më thotë: “Zgjedhja është jotja, trajner”.
Kjo është lumturia e çdo trajneri. S’është e lehtë të gjesh një president që përfshihet brenda situatave teknike, por ai është shumë i talentuar në këtë drejtim”.
Këto janë fjalët që trajneri italian Kristian Panuçi ka thënë në një intervistë për median që është pranë kreut të FSHF-së, dhe që sot ajo media dhe ata gazetarë janë nën sulmin e Panuçit.
Rezultatet negative që ai ka arritur në krye të Kombëtares shqiptare ka bërë që tifozët të brohorisnin në kor në ofendime ndaj tij në gjuhën që ai e kupton më mirë: italiasht.
Është e qartë që trajneri nuk është më një njëri i pëlqyer në opinion – por pavarsisht kësaj ai nuk ka bërë asnjë hap pas, duke theksuar se do të vijojë punën i qetë për ta rikthyer skuadrën në nivele të duhura.
Për të ardhmen e tij topin e ka kaluar në krahun e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës, i cili nuk ka dhënë ende asnjë prononcim për këtë ecuri skandaloze që ka bëri njeriu që ai përzgjodhi me aq entuziasëm pas largimit të Xhani De Biasit.
Largimi i Panuçit do të ishte një presion dhe një përgjegjësi e madhe për Armando Dukën i cili përveçse do ketë përsipër mbi supe një investim të dështuar të tijin – do të detyrohet që të pagujë dhe një shifër të majme për prishjen e kontratës me italianin.
140 mijë euro është shuma që ndan Panuçin dhe Dukën – një shifër që kreu i FSHF-së mund t’ia jap italianit për të shpëtuar veten e tij dhe për të kënqur një pjesë të opinionit, por që kurrësesi nuk mund t’ia heq atij peshën e madhe të fajit që ka për emërimin e trajnerit – ku që në fillim ishte e qartë nga CV-ja e tij që ai nuk ishte i denjë për të drejtuar një ekip Kombëtar, por që Duka mori përsipër riskun për të eksperimentuar në krye të stolit kuqezi.
Është e qartë që mes trajnerit dhe presidentit ka një krisje – por ende një verdikt final se cila do të jetë e ardhmja mes tyre.
Dilemat do të zgjidhen pas miqësores me Uellsin ku palët do të ulen për të diskutuar dhe gjasat janë që Panuçi të jetë larg ekipit kombëtar – pasi 140 mijë euro, nuk përbëjnë në fakt ndonjë problem për xhepin e Armando Dukës.
Por, gjatë drejtimit të ekipit kombëtar dhe pas rezultateve negative në drejtim të Panuçit pati një sulm të befasishëm nga ana e gazetarëve që qëndrojnë gjithë ditën në paradhomën e kreut të Federatës.
Diçka që zuri ngushtë dhe vetë Armand Dukën që si rrallë herë i ftuar në studion e “Zona Gol” në Supersport ishte i tensionur dhe nuk i kurseu sulmet ndaj atyre që i konsideron si më të afërt dhe në gatshmëri sa herë i duhet për ta mbrojtur.
“Jeni munduar të mblidhni sa më shumë fakte për ta kryqëzuar trajnerin. Nuk është kombëtarja e Panuçit, është e Shqipërisë. Të gjithë bashkë punojmë dhe marrim faturën e suksesit dhe mossuksesit. Nuk mund të kënaqem kurrë me fitoren. Kur shoh që kemi humbur me Italinë dhe Spanjën, apo me në miqësoren me Norvegjinë, ngushëllohem pak. Kemi humbur ndaj Skocisë, që ka lojtarë që luajnë në Premier League. Ka qenë pjesëmarrëse në eventet e mëdha. Nuk mund të bëjmë paralelizëm mes Venturës me Italinë dhe Panuçit me Shqipërinë. Sulmet më duken të orkestruara”, deklaroi Duka në studio.
Pra, ajo që është e qartë që Panuçi që ishte një “yll i pa zbuluar” në fillim nga gazetarët pranë Dukës duke i marrë intervistat e para ekskluzive për të na e paraqitur si një trajner që do të vijonte rrugën e lavdishme të nisur nga De Biazi , tashmë është kthyer në objektiv sulmi edhe nga vetë ata.
Në çdo ndeshje të Kombëtares shqiptare vihet re nga komentatorët një sulm nën brez ndaj trajnerit, duke treguar gafat e tij në zëvendësim, arsyet pse futet X-lojtar dhe lihet jashtë një tjetër futbollist që rrinë në kafene me ta.
Është e dukshme që Panuçin nuk e kanë pjesë të drekave apo kafeneve për të vendosur rreth ekipit kombëtar, dhe kjo i ka tërbuar duke nisur dhe ata një sulm të pazakontë ndaj një trajneri të ekipet përfaqësues.
Normalisht jo se shqetësohen për rezultatet dhe kombëtren, por për pushtetin e tyre që nuk po vënë dot në zbatim.
Si gjithnjë janë të kujdesshëm për të mos i hedhur asnjë faj kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit që ka gjithë pushtetin për të emëruar trajnerin ku dështimi është i përbashkët dhe jo i vetëm njërës pal, siç kanë dëshirë ta paraqesin ata që rrinë në paradhomën e Dukës.
Nuk dihet ende nëse Panuçi do të flas me emra, por ata që lobojnë tek Duka duke e mbrojtur atë në çfardolloj mënyre nuk i ka më në krahun e tij.
Por, korrekte do të ishte që Panuçi të tregohej i guximshëm dhë të flas për kët sulme të organizuara rreth tij.
Në mënyrë që të paktën të kujtohet për një vlerë të tijën!