Lulzim Basha është më i vërtetë kur bën thirrje për tu çuar e për ta rrëzuar Edi Ramën me rininë e Beratit, sesa me kasetën e Babales.
Alfred Peza
Më në fund edhe opozita e sotme e Shqipërisë, e kuptoi se pushteti nuk fitohet në tavolinë. Teorikisht e ka ditur këtë, edhe para se të publikonte “Babalen” e pare. Madje edhe pasi tentontoi që të inskenonte “Babale” të tjera. E ka ditur këtë, edhe para se të zhvillonte një luftë opozitare virtuale përballë qeverisë; me konferenca shtypi, me debate televizive, me kaseta të monuara audio a video dhe me deklarata e akuza gjysëm, apo aspak të vërteta.
Opozita jonë e ka ditur se pushteti nuk fitohet në tavolinë, edhe përpara se Bujar Nishani të nguronte që ta dekretonte Fatmir Xhafën për ministër të Brendshëm. Ashtu siç e ka ditur edhe pasi ai e dha dorëheqjen për tu larguar me vullnetin e tij nga kjo detyrë. E ka ditur gjithashtu edhe përpara se Presidenti i Republikës Ilir Meta të mos e dekretonte fillimisht Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm. Siç e ka ditur, edhe pasi ai e firmosi dekretin për emërimin e tij.
Po pse atëherë opozita jonë ka gjashtë muaj (mitingu i fundit, 26 maj 2018) që është mbyllur brenda oborrit të SHUP dhe selisë së LSI, brenda zyrave të tyre, brenda sallave të konferencave, prapa banaqeve të debateve mediatike e prapa maskave virutale të luftës online në rrjetet sociale? Pse opozita jonë ka 200 ditë të këtij viti që nuk zhvillon asnjë miting nëpër rrugë e sheshet e fshatrave, qyteteve dhe kryeqytetit tonë?
Përse opozita jonë deri 48 orë më pare, nuk po takohej më me njerëzit për ti dhënë shpresën, opsionet dhe qëndrimet e saj për ato që ajo gjykon se qeveria po i bën keq? E si të mos mjaftonin të gjitha këto, kush mund ta thotë sot me siguri të plotë se përse opozita i ka ikur jo vetëm njerëzve, terrenit e popullit opozitar por edhe Parlamentit dhe Parlamentarizmit? Përse opozita jonë nuk mer pjesë më as në mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe as në seancat plenare të Kuvendit? Përse opozita jonë braktis sallat e takimeve ku vendosen fatet e integrimit të Shqipërisë në BE por nuk bën të njëjtën gjë kur vjen puna për tu ulur nëpër drekat dhe darkat që shtrohen atje nëpër restorantet e Brukselit?
Përse opozita jonë që betohet se nuk do të rikthehet më kurrë në sallën e “Parlamentit të krimit” dhe mandateve të fituara me anë të “bandave”, shkon në fillim të çdo muaji për të tërhequr “cik më cik”, pagat e gjithë deputetëve të saj? A është rastësi se vetëm 24 orë pasi Presidenti firmosi dekretin për ministrin e ri të Brendshëm, pas kaq kohësh Monika Kryemadhi braktisi Tiranën për të nisur takimet me anëtarësinë e LSI në Shkodër e Delvinë? E po në të njëjtën kohë, Lulzim Basha hoqi kollaren e kryeqytetit, për të veshur golfin e dimirt përballë mbështetësve të tij në Berat?
Sigurisht që nuk është rastësi. Përkundrazi. Eshtë e qartë se jemi në klonin që ndan përfundimin e strategjisë ëndërrimtare për ta rrëzuar këtë qeveri me kaseta të montuara dhe dekrete të vonuara, e për ta fituar pushtetin në tavolinë. Përpara kemi fillimin e një kufiri të ri, të një projekti të ri strategjik për ta rrëzuar këtë qeveri nëpërmjet njerëzve në terren, me vote nesër në zgjedhje.
Lulzim Basha është më i vërtetë kur bën thirrje për tu çuar e për ta rrëzuar Edi Ramën me rininë e Beratit, sesa me kasetën e Babales. Monika Kryemadhi është më e besueshme kur deklaron nga Shkodra se opozita është e aftë që ta rrëzojë Edi Ramën e të ringjalli shpresën, sesa duke pritur me sytë nga Presidenca, nëse Ilir Meta do ta firmoste apo jo dekretin për Sandër Lleshin.
Le të shpresojmë se tani që opozita jonë e kuptoi edhe praktikisht, se nuk mund ta fitojë dot pushtetin në tavolinë, do ta vijojë aksionin e saj me njerëzit dhe për njerëzit, sy më sy me ta kudo nëpër Shqipëri. Urojmë që flaka e kësaj kashte të rrijë ndezur, të paktën deri më 19 janar, atëherë kur Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe Monika Kryemadhit i skadon afati 6 mujor për të mos iu djegur ligjërisht, mandatet e deputetit.
Nga 19 korriku i këtij viti, kur ata ishin për herë të fundit në seancën plenare të Parlamentit, ka edhe plot dy muaj kohë përpara. Nëse e mbajnë fjalën dhe nuk rikthehen më në atë sallë, atëherë do ta kuptojmë se këtë radhë, e kanë vërtetë seriozisht aksionin e ri opozitar.