Zbatimi i reformës në drejtësi do të kushtojë 98.385.653 euro. Gazeta Sot, ka siguruar raportin e Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e reformës në drejtësi dhe aty është bërë një bilanc i kostos së kësaj reforme. “Kostoja e përgjithshme për zbatimin e Planit të Veprimit për vitin 2017-2021 për Reformën e Sektorit të Drejtësisë është vlerësuar në 98,385,653 Euro.
Në momentin e hartimit të planit të veprimit hendeku financiar është vlerësuar të jetë në masën 35% të totalit. Meqenëse hendeku financiar apo edhe kosto e përgjithshme e PV 2017-2021 nuk është rishikuar që prej aprovimit të Strategjisë, statistikat financiare të raportuara në vijim i referohen kostove të parashikuara në momentin e miratimit të planit të veprimit”, thuhet në dokument.
Aty jepen detaje se kanë nisur trajnimet sa i takon luftës ndaj korrupsionit. Pra duket se terreni po bëhet gati dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi i SPAK. “Për shkak të moskostituimit të organeve të Prokurorisë së Posaçme, Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar disa aktivitete trajnuese për anti korrupsionin me gjyqtarë dhe prokurorë, konkretisht: 1. 12 janar 2018 “Parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe veprave të tjera penale.”; 2. 30-31 janar 2018 “Bashkëpunimi ndërinstitucional në procesin e hetimit dhe gjykimit të veprave penale. Roli i Policisë Shkencore;
Bashkëpunimi i gjyqësorit dhe prokurorisë me Policinë Shkencore.”; 3. 28 mars 2018 “Parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe veprave të tjera penale; 4. 16-17 maj 2018 “Veprat penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit”; 5. 20 – 21 qershor 2018 “Hetimet proaktive në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”; 3. 27- 28 qershor 2018 “Grupi i strukturuar kriminal, si formë e veçantë bashkëpunimi”. Numri total i individëve të trajnuar: 49 Gjyqtarë, 121 Prokurorë, 2 Inspektorë.
Kosto totale për këto trajnime ka qenë 772.750 lekë”, thuhet në dokument.