Ilir Meta bart mbi supe dilemën e Sali Berishës së parë, kur ishte President me të drejta ekzekutive (1992- 1997) dhe jo përdorimin e mandatit presidencial si “kapak floriri”, ashtu siç ai ishte për Rexhep Meidanin, Alfred Moisiun, Bamir Topin e duket se do të jetë, edhe për Bujar Nishanin.
Alfred Peza
Ka shumë njerëz që e shohin mënyrën sesi ai po e ushtron detyrën e kreut të shtetit, si një vazhdimin e dimensionit dhe projektit të tij prej lideri politik, me mjete të tjera. Ka shumë të tjerë, që mundohen tia mirëkuptojnë ngërçet që ia krijon natyrshëm lartësia e detyrës së “re” kushtetuese, me rutinën e impenjimeve të vjetra vijuese, në elitën politike shqiptare. Sikundër ka të tjerë akoma, që mbajnë në dorë ose në mendje tekstin e Kushtetutës dhe veç gërmës, kërkojnë prej Ilir Metës që të zbatojë si në një Republikë ideale, edhe frymën e saj.
Edhe në ato të paktat përplasje që kanë ndodhur deri më sot mes Presidencës dhe Qeverisë, mes kreut të shtetit dhe shumicës parlamentare, mes Ilir Metës dhe Edi Ramës që të gjitha duket sikur kanë ardhur për shkak të një dileme të vetme. Të asaj dileme që nuk lidhet aspak me të kuptuarit ose jo të detyrave kushtetuese nga ana e Ilir Metës. Përvoja e tij është aq e gjatë dhe për të gjitha nivelet e funksioneve më të larta që ka mbajtur, sa edhe vetë historia e pluralizmit post komunist në Shqipëri.
E vetmja dilemë që e lëkund atë nga të qenurit “Presidenti më i mirë i Republikës” është dualiteti mes një Ilir Mete kryetar shteti dhe atij të një lideri politik. Dilema mes të qenurit një ndër politikanët më aktivë përpara se të votohej si President dhe atij që synon ta vazhdojë ende projektin e tij politik, edhe pas mandatit që mban sot. Ilir Meta bart mbi supe dilemën e Sali Berishës së parë, kur ishte President me të drejta ekzekutive (1992- 1997) dhe jo përdorimin e mandatit presidencial si “kapak floriri”, ashtu siç ai ishte për Rexhep Meidanin, Alfred Moisiun, Bamir Topin e duket se do të jetë, edhe për Bujar Nishanin.
Edhe kur u përplas me mazhorancën për dhënien e plotfuqishmërisë ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për fillimin e negociatave me Greqinë; edhe në rastin e dekretimit të ligjit për teatrin e ri Kombëtar; edhe për rastin më të fundit në lidhje me dekretin për ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi, Presidenti i Republikës është lëkundur mes gjykimit të ftohtë kushtetues të shefit të godinës së parë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe gjakimit politik të një lideri që ia ka lënë përkohësisht stafetën e tij bashkëshortes, për të vijuar sërisht pas tre vjetësh projektin e tij strategjik.
Këto dilema, këto mëdyshje, këto përsiatje mes një njeriu që duhet të shërbejë si “kryegardian” i shtetit dhe i Kushtetutës, dhe atij që duhet ti shpërbejë partisë së tij dhe grupimit të madh politik ku ajo bën pjesë sot, kanë sjellë këto qasje të shumëdiskutuara deri më sot për Ilir Metën si President.
Vetëm nëse larg qoftë heq dorë vullnetarisht nga ky mandat ose e ndan mendjen që bashkë me daljen nga Presidenca nesër ai do të dalë përfundimisht edhe nga politika aktive, mund të na garantojnë se Ilir Meta nuk do ti vijojë edhe më tej këtë qasje presidenciale. E sigurtë është që krisjet mes tij dhe mazhorancës do të vijojnë, për aq kohë sa brenda të njëjtës lëkurë rrekesh të jesh edhe kryetar shteti edhe të mbash kostumin e një lideri politik; edhe të përfaqësosh unitetin e popullit shqiptar dhe atë të popullit opozitar; edhe ti shërbesh interesit shtetëror edhe atij politik, edhe të kesh për “Bibël” e “Kuran” Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe poshtë tyre të mbash statutin e partisë; edhe të këshillohesh si President nga “konstitucionalistët zyrtarë” edhe të fryhesh në vesh nga “analistët e pavarur”.
Kjo është një dilemë të cilën herët ose vonë, do të duhet që ta zgjidhë vetë Ilir Meta, siç ai ka marë përgjatë karrierës së tij politike vendime shumë të forta dhe të rëndësishme. Të cilat edhe mund ta kenë dëmtuar përkohësisht, por e kanë ndihmuar për tu ngjitur gjithmonë e më lart, deri në majën e çatisë së shtetit ku ndodhet sot. Ai do të duhet që ta zgjidhë dilemën e tij, në interes të institucionit që përfaqëson, vendit dhe vetes. E sigurtë është se ai e kupton këtë ngërç çdo ditë e më tepër, për aq kohë sa vazhdon të përplaset me mazhorancën me zellin e një lideri politik dhe detyrohet që të firmosur në fund, me maturinë e një Presidenti Republike.