Shqipëria duket se nuk do të shpëtojë dot nga vorbulla që ka mbërthyer Ballkanin, sa i takon goditjes së korrupsionit në nivele të larta. Tradita vijon të tregojë se për të shkuar në BE duhet që të ketë arrestime pushtetarësh. Të parët që e treguan ishin Kroacia me Rumania, ku u arrestuan deputetë, ministra e ish-ministra.
Por tani kjo gjë po tregohet dhe nga Maqedonia. I gjithë shteti është vënë në kërkim të ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili është dënuar me 2 vite burgim për afera korrupsioni. Por sinjalet janë se tani radhën e ka vendi ynë.
Të vetmet shtete që kërkojnë të marrin statusin kandidat janë Shqipëria dhe Maqedonia. Në Maqedoni u arrestua një ish-ministër, ndërsa u dënua dhe Nikola Gruveski, i cili arriti të arratisej në Hungari. Tani stafeta duhet se do të kalojë në Tiranë dhe sinjalet po jepen nga dita në ditë. Dje ka folur rrjeti gjerman “Deutsche Welle”, duke paralajmëruar se arrestimet do prekin dhe Tiranën. Në një artikull referuar deklaratave të presidentit Meta se politikanët duhet të qëndrojë si burra përballë akuzave, “DË”, shkruan se kjo vlen dhe për situatën në Shqipëri.
“Qëndrimi i Presidentit Ilir Meta, pas arratisjes në Hungari të ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, nuk përfshin vetëm rastin konkret. Ai shtrihet edhe për politikanë apo ish-politikanë të lartë në Shqipëri, të përfolur për abuzim me pushtet dhe korrupsion apo më gjerë në rajon”, thuhet në artikull. Por rrjeti mediatik gjerman është ndalur dhe te reforma në drejtësi. Në artikull thuhet se do të jetë SPAK që do të dërgojë pas hekurave të korruptuarit. Por aty thuhet se politika po bllokon ngritjen e organeve antikorrupsion.
“Në Shqipëri, reforma në drejtësi parashikon edhe vetingun e politikanëve. Polarizimi i skajshëm politik dhe mosmarrëveshjet mazhorancë-opozitë nuk kanë bërë të mundur ngritjen e institucioneve të miratuara në Kushtetute – si SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion) që ky proces të fillojë. Opozita nuk pranon që veting-u të bëhet nga ky institucion por nga një strukturë tjetër, ngritja e të cilës kërkon ndryshime kushtetuese, gjë që shtyn fillimin e procesit”, thuhet më tej në artikull.
Lufta ndaj korrupsionit në Ballkan
Nëse shohim të gjitha vendet e rajonit, është radha e Shqipërisë që të nisë tërmetin në drejtësinë dhe politikën shqiptare. Në shtete si Rumania, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë ngritur prokurori të posaçme për të luftuar korrupsionin dhe në të gjitha shtetet ka pasur arrestime në nivele shumë të larta. Në Rumani janë arrestuar mbi 1.500 zyrtarë të niveleve të larta, duke përfshirë deputetë, ministra e ish-ministra. Në Kroaci po ashtu janë arrestuar mbi një mijë zyrtarë përfshirë dhe ish-kryeministrin Ivo Sanader. Në Serbi janë arrestuar mbi 300 zyrtarë, ku vetëm në një aksion u ndaluan 80 personalitete.
Po e njëjta gjë ndodhi në Mal të Zi. Edhe aty janë arrestuar qindra persona. Vetëm në një aksion pak kohë më parë u ndaluan 13 zyrtarë mes të cilëve kryetari i Bashkisë së Budvës, këshilltari i kryeministrit Gjukanoviç dhe vajza e ish presidentit malazez.
Ndërkohë në Kosovë sapo u ngrit Gjykata Speciale ku dhe aty do ketë skenarë të ngjashëm. Pra nëse shohim të gjitha vendet e rajonit aty ka pasur arrestime personalitetesh dhe tani i vetmi shtet që ka mbetur është Shqipëria. Por nuk do të vonojë shumë dhe te ne do nisin reprezaljet.
SPAK është çështje javësh dhe nëse shohim fqinjët tanë nuk do ketë me deputetë, ministra, ish-ministra e ish-kryeministra të paprekshëm./Kliti TOPALLI