Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pritet që në 2019 të sheshojë përçarjet brenda së djathtës. Ndryshe nga ish-kryeministri Sali Berisha që ka bërë thirrje për bojkot zgjedhjesh, PD ka nisur përgatitjet që të përballet me mazhorancën në 30 qershor të vitit tjetër. Ditët e fundit në zyrën e Bashës kanë mbërritur disa propozime të bazës demokrate për kandidatët që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike në zgjedhjet vendore të 2019.
Burime të sigurta i pohuan gazetës se mes propozimeve të bazës bie në sy fakti që shumë emra janë figura të njohura të PD, si ish-ministra dhe ish-deputetë, të cilët sipas bazës duhet të garojnë nën siglën e Partisë Demokratike për këto zgjedhje.
Kohët e fundit në adresë të kryedemokratit ka pasur kritika të shumta nga ish-deputetët, madje këtë të fundit e kanë sulmuar dhe akuzuar Bashën në çdo dalje publike apo rrjetet sociale. Por Lulzim Basha duket se e ka gjetur zgjidhjen si ta parandalojë përshkallëzimin e konfliktit me “gardën e vjetër”, duke ofruar si zgjidhje rikthimin e të pakënaqurve me qëllim kandidimin e tyre për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të 2019. Ndërkohë faktin që Partia Demokratike është duke u përgatitur për zgjedhjet vendore të 2019, e tregon edhe konsulenca me të huajt, ku mësohet se PD ka kërkuar ndihmë britanike për të zgjedhur kandidatët.
GazetaSot, ka mësuar se të shtunën do të mbërrijë në Tiranë një përfaqësues i partisë Konservatore britanike, që do të japë eksperiencën e tij për zgjedhjet lokale, por edhe ato të përgjithshme. Megjithatë, lëvizjet e kryedemokratit për ringritjen e partisë nuk janë rast i izoluar, pasi edhe gjatë pranverës së këtij viti Basha u shtriu dorën e bashkëpunimit katër prej figurave të njohura të Partisë Demokratike, siç janë Besnik Mustafaj, Astrit Patozi, Ridvan Bode dhe Jozefina Topallin. Madje, me disa prej tyre siç është ish-ministri Mustafaj dhe ish-ministri Genc Ruli zhvilloi takim kokë më kokë.
PD lë pezull LSI për ndarjen e bashkive
Përveç tentativës për të bindur dhe joshur kritikët, siç është propozimi i tyre për të garuar nën siglën e PD për zgjedhjet vendore të vitit 2019, gazeta ka mësuar se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon të mbajë pezull kërkesat e LSI për ndarjen e bashkive. Një ndër arsyet kryesore të kësaj klime mosbesimi që PD ka krijuar ndaj LSI është si rezultat i bazës demokrate.
Në mënyrë të përsëritur baza i ka kërkuar Bashës që të distancohet nga LSI, sa i takon zgjedhjeve administrative të vitit tjetër, dhe jo vetëm. Ndërkohë që mësohet se përplasjet mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike ka pasur edhe sa i takon nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit. PD me PDIU-në e Shpëtim Idrizit e ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, ndërsa me LSI ende jo. Mirëpo, gazeta ka mësuar të tjera detaje nga sherri që ka kapluar këto dy parti, sidomos këto ditët e fundit.
Shkak janë bërë përzgjedhja e bashkive. LSI kërkon që në bashkitë që drejton aktualisht vetë, madje edhe në disa të tjera ka shfaqur ambicien për të dalë me kandidatë të saj që do mbështeteshin nga opozita, ndërsa Basha po heziton që t’ia japë, pasi sipas burimeve PD do t’i ketë të saj shumicën e bashkive, madje edhe bashkitë e LSI. Megjithatë, arsyeja tjetër se përse Basha nuk po ulet që të nënshkruaj një marrëveshje zyrtare me Kryemadhin, ka të bëjë me klimën e mosbesimit, pasi besimi i PD tek LSI vijon të jetë i dobët edhe pse këto dy forca janë rreshtuar në kapin opozitar.