Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të shtunë duke dhënë një lajm të mirë, për një fëmijë me aftësi ndryshe.
“Me këtë tjetër mënyrë se si qeveria u gjendet njerëzve si asnjëherë më parë, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.
Në video tregohet historia e fëmijës Fadil Muka, nga një fshat i Krujës, i cili është i prekur nga autizmi.
Nëna e tij Adelina, tregon se i shoqi Astriti para disa kohësh u ankua në platformën e bashkëqeverisjes “Shqiperiaqeduam.al”, ku dhe ju premtua ndihmë.
Tashmë fëmijës i është mundësuar një mësues ndihmës në shkollë, i dedikuar për të dhe dy fëmijë të tjerë me aftësi ndryshe.
Nëna e Fadilit duket e kënaqur dhe thotë se tani ka më shumë kohë për familjen, pasi më parë rrinte gjatë gjithë kohës në shkollë me të birin.
Ndërkohë mësuesi i tij, tregon se me Fadilin ndiqet një program i veçantë dhe se tashmë ai ka filluar të shkruajë dhe të shqiptojë disa fjalë.