Ballkonet dhe dritaret be pallateve në kryeqytet do të jenë të veshura me flamuj kombëtar. Kryeqyteti ka hyrë në muajin e festave kombëtare dhe do të fillojë shumë shpejt që të vishet edhe me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar.
I pranishëm në ndezjen e dritave në sheshin “Skënderbej”, Kryetari i bashkisë Veliaj u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit që së pari të festojnë festën e çlirimit të Tiranës dhe më pas edhe festat kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit. “Ne po na afrojnë festat tona kombëtare; festa për qytetin është 17 nëntori dhe dua që t’i japim një duartrokitje të gjithë atyre që janë veteranë dhe kanë dhënë një kontribut që ky qytet të jetë një qytet i lirë.
Kemi festat e 28-29 nëntorit, ndaj dua që secili prej jush, ata që po na ndjekin dhe ju që keni ardhur këtu në shesh të vëmë secili nga nesër, që është 17 nëntori, një flamur në ballkon, në zyrë tek kompjuteri, në dritare, tek makina, për të kujtuar që mbi të gjitha jemi shumë krenarë që jemi pjesë e këtij kombi, e kësaj historie dhe e këtij qytetërimi që krijojmë në Tiranë”, theksoi kryetari i bashkisë.