Pavarësisht deklaratave se nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet vendore, duke hedhur si alibi se do të ketë zgjedhje të parakohshme, opozita ka ndezur motorët.
Monika Kryemadhi është shfaqur së fundmi në Elbasan dhe Dibër në takim me strukturat e LSI-së, por jo entuziaste dhe e fortë siç edhe ka krijuar deri diku profilin publik. Monika e vrerosur e di se në këto zgjedhje do e ketë punën pisk.
Partia e saj po vuan ditët më të këqija nga hemoragjia e largimeve, çka ka sjellë edhe rrudhosje në maksimum. Po ashtu hedhja e parasë një taktikë e përdorur masivisht nga LSI-ja do të jetë shumë e vështirë. Llogaritë e çiftit të korrupsionit janë të monitoruara rreptësisht, por edhe “dhjami” i vendosur gjatë lulëzimit të tyre politik është tretur.
Monika e di se në ç’derexhe e ka katandisur partinë e krijuar nga bashkëshorti dhe dështimi që e pret është i sigurtë. Ndaj edhe përplitet me thirrje dëshpëruese për rrëzimin e qeverisë.
Monika Kryemadhi e di që deri sa të shkohet në zgjedhje është pak kohë dhe me shumë gjasa do të ndodhë edhe “tronditja” e shumëpritur politike.
Ndaj Monikës nuk ka si t’i “buzëqeshë buza”, teksa po shkon drejt perëndimit të saj politik./Pamfleti