Fikret Tevfik Oktay, një qytetar turk nga Ankaraja por me origjinë shqiptare nga babai i vet, ka marrë nënshtetësinë shqiptare në moshën 90-vjeçare.
Falë dekretit për shtetësi të presidentit Ilir Meta, u bë e mundur realizimi i një prej ëndrrave më të mëdha të 90-vjeçarit.
Babai i tij ishte shqiptar, ushtarak madhor në ushtrinë e Perandorisë otomane e më pas në ushtrinë e Ataturkut me të cilin kishin miqësi personale, raporton GSH.
Për shkak të luftërave të zhvilluara në rajonin e Ballkanit e më pas atyre botërore ishin shkëputur tërësisht lidhjet me Shqipërinë.
Më pas izolimi i Shqipërisë , i bëri të pamundur komunikimet me botën e jashtme.
Për vite me radhë familja e Oktayt dhe të afërmit e tyre në Shqipëri, të cilët janë familja e ish-deputetit Flamur Çelaj, nuk e harruan kurrë lidhjen familjare.
Shprehja “gjaku nuk humbet”, rezulton të jetë e vërtet dhe falë përpjekjeve të jashtëzakonshme nga të dy anët, familja u ribashkua pas shumë viteve.
Pas marrjes së pasaportës shqiptare të Tevfik, familja Çelaj organizoj një festë tradicionale me motive shqiptare.