Varrimi ceremonial i Mit’hat Frashërit është qëndrim që respekton historinë. Ky ndoshta deri tani është rast unik: është i pari; por nuk duhet të jetë i fundit.
Shkruan Spartak Ngjela
Pse merreni ende me Luftën e Dytë Botërore? Për ngjarjet e Luftës së Dytë botërore ende nuk ka historianë shqiptarë që të mund t’i trajtojnë. E rëndë është, por Shqipëria sot nuk ka historianë, dhe kjo është vepër e izolimit të saj kundrejt universiteteve të mëdhenj. Historia është shkencë e vështirë sepse ëshë fakt dhe racionalizëm objektivisht i pastër.
Që pas vdekjes së Stavro Skëndit nuk ka më një historian shqiptar të përmasave europiano-perëndimore. Si pasojë e kësaj, sot historiografia shqiptareende nuk ka mundësi të trajtojë historikisht një figurë si Mit’hat Frashëri për Luftën e Dytë. Lufta e Dytë Botërore ishte një udhëkryq i rrezikshëm për Shqipërinë, por ende historiografia shqiptare nuk ka një mendim solid dhe në këtë nivel ku është, nuk i ka mundësitë. Ky trajtim kërkon nivel akademik shumë të lartë dhe nevojën e autoritetit.
Mangësis e historisë objektive në Shqipëri nuk i kalon dot pyetjet të cilat duhen trajtuar nga një apo dy, apo tre autoritete historianësh të kalibrit botëror. Sot janë këto pyetje pa përgjigje historike që lidhen me figurën e Mit’hat Frashërit :
A kanë qenë Serbët pushtues territoresh shqiptare që nga viti 1881 e deri në vitin 1912?
A mund të bashkohej një patriot me pushtuesit historikë të Shqipërisë duke u nisur nga ideologjia?
A e kemi të trajtuar historikisht, deri më sot qëllimin politik të Gjermanisë hitleriane për Ballkanin?
Ishte gënjeshtër apo realitet bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare sipas doktrinës gjermane të Luftës së Dytë Botërore?
A ishte lëvizja nacional-çlirimtare një lëvizje terroriste më shumë se çlirimtare?
Pse e prishi Beogradi komunist marrëveshjen e Mukjes, për ideologji apo për territor dhe antishqiptarizëm?
Cilat kanë qenë marrëdhëniet e politikës amerikane të vitit 1949 me Mit’hat Frashërin, dhe pse ajo politikë e vuri këtë në krye të lëvizjes së tyre për rrëzimin e Enver Hoxhës?
A ka punuar ndonjëherë me fqinjët pushtues për të marrë pushtetin Mit’hat Frashëri?
Cili është raporti i aktivitetit intelektual si shkrimtar publicist dhe historian i Mit’hat Frashërit, me dinjitetin kombëtar, me mendimin shqiptar dhe me aneksimin e territoreve shqiptare?
Pa u sqaruar këto pyetje, që dukshëm mendoj se janë në favor të figurës së frasherlliut të katër të madh, nuk mund të flitet me pasion dhe negativitet për Mit’hat Abdyl Frashërin.