Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me anë të një postimi në facebook ka bërë me dije se është arritur marrëveshja me LDK për demarkacionin me Malin e Zi.
Veseli në postimin e tij ka falenderuar kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli për arritjen e konsensusit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
“Të nderuar qytetarë, sapo kemi arritur konsensusin për të ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi. Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv. Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin”, ka shkruar Veseli.
Para se kryeparlamentari të japë lajmin për arritjen e marrëveshjes kryeministri Haradinaj ka takuar mëngjesin e sotëm zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, i cili duket të ketë ndërmjetësuar në këtë proces.
“Është kënaqësi të kesh bashkëpunëtor energjik, me të cilin ndajmë vizionin e përbashkët që mos të ndalemi përballë sfidave dhe të punojmë për mirëqenien e qytetarit”, ka shkruar Haradinaj në facebook
Më herët zv/kryeministri Behgjet Pacolli bëri me dije se kjo marrëveshje është arritur mbi parimet e mirëkuptimit për të ardhmen e Kosovës.