Një ditë pas akuzave të Lulzim Bashës, se projekti i Unazës së re është i paligjshëm, vjen edhe reagimi nga ARRSH. Autoriteti në fjalë shprehet se projekti është në rakordim me Bashkinë Tirane dhe se ai ka filluar që kur institucioni në fjalë drejtohej nga Basha.
“Unaza e Madhe e Tiranës është konceptuar që në fillimet e saj si Autostradë – rrugë kategoria A. Inicimi i këtij projekti për realizimin e Unazës së Madhe, si projekt-ide daton që në kohën e qeverisë së A. Çarçanit dhe realizimi daton që në vitin 1996.
Pikërisht, në segmentin rrugor Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja, me një projekt të hartuar në atë kohë nga ISPN2 (Instituti i Studim Projektim Ndërtim 2, ku profili tërthor i parashikuar ka qenë 58 m), për arsye financimi dhe të tjera në atë kohë nuk u realizua në zbatim.
Projekti i hartuar nga ISPN2 parashikon të gjitha detajet që ka projekti aktual për zbatim (tashmë i azhornuar). Vlen të citohet fakti se profili tërthor i projektit aktual është 53.8 m.
Segmentet e tjera të përfunduara së ndërtuari në zona urbane janë po të njëjta në kategori A urbane me atë të segmentit Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Doganës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, si organ më i specializuar dhe që ka financuar e menaxhuar projektet dhe ndërtimet e segmenteve të tjera të kësaj Unaze, është vënë në lëvizje për këtë projekt nga kërkesa e Bashkisë Tiranë me shkresën nr. 3792 prot dt. 25.01.2018. Kështu, ARRSh-ja sot (apo ish-DPRR-ja) ka ndjekur të njëjtën praktikë siç u ndoq në kohën kur Bashkinë e Tiranës e drejtonte Kryetari aktual i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha”, thotë ARRSH.
Kjo e fundit siguron se do të vazhdojë të jetë konsekuente në hartimin e projekteve sipas kushteve teknike, duke realizuar zgjidhje afatgjata në drejtim të zhvillimit.
Përfundimi i të gjithë unazës do të shërbejë si lidhje me akset nacionale të rrjetit rrugor duke lidhur pjesën veriore të Shqipërisë me pjesën juglindore.
Ndërtimi i saj do të krijojë avantazhe të pakrahasueshme si për trafikun në qytetin e Tiranës por edhe lidhjen me pjesët e tjera të vendit.