Aktivitetet që mund të ushtrojë çifti presidencial janë të përcaktuara qartë dhe nuk përfshihet drejtimi i një partie as nga Presidenti dhe as nga bashkëshortja e tij, pavarësisht refuzimit që Monika i ka bërë funksionit të “Zonjës së Parë”. Meta duhej të kishte frenuar ambicien e bashkëshortes për t’u bërë kryetare partie. Presidenti Ilir Meta tashmë duhet të zgjedhë, ose të detyrojë Monikën të dorëhiqet nga kryetare e LSI dhe të bëjë “Zonjën e Parë”, ose të japë vetë dorëheqjen si President. Mund të bëjë më të dhimbshmen, të bëjë një divorc me bashkëshorten, dhe të mbajnë postet që kanë
Ish kryetari i LSI dhe presidenti aktual i Republikës, Ilir Meta vepron me dy standarde kur bëhet fjalë për të marrë vendime në respekt të Kushtetutës dhe ligjit në Shqipëri.
Nëse për dekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, Ilir Meta nxori pretendime, që nga shtesa tek mbiemri e “j”-së e deri tek diskutimi nëse është ushtarak aktiv ose jo, personalisht vetë Presidenti ka një sërë shkeljesh ligjore që nuk “bashkëjetojnë” me postin e kreut të shtetit.
Që në krye të herës kur Ilir Meta u zgjodh President i Republikës, “ngërçi” ligjor filloi te familja e tij biologjike dhe më konkretisht tek bashkëshortja Monika Kryemadhi.
Me ambicie të fortë politike dhe në kushtet kur i kishte vënë “syrin” postit të kreut të LSI, pasi Petrit Vasili ishte përtej kufijve të qesharakes si kryetar dhe për më tepër kjo parti është pronë e familjes, Monika Kryemadhi refuzoi të quhej dhe të luante rolin e “Zonjës së Parë”.
Meta e trashi zullumin më pas, teksa ishte miratuar si President, ndërkohë që jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar por dhe në ditën e zgjedhjeve u përfshi në fushatë të egër politike në favor të LSI, madje duke shkelur të gjitha rregullat dhe ligjet zgjedhore.
Ndërkohë që bashkëshortja e tij Monika, dhe zyrtarisht e refuzoi të qenit “Zonjë e Parë”, pasi vu në krye të LSI, parti tashmë në opozitë.
Pikërisht këtu fillon dhe konflikti ligjor i Ilir Metës me postin e Presidentit, pasi nuk mundi të “frenonte” ambicien e bashkëshortes Monika për t’u bërë kryetare e LSI, pasi ‘Zonja e Parë’ është një funksion i rregulluar me ligj dhe sipas këtij ligji mund të zëvendësohet vetëm në rastet e dirvorcit apo të ndarjes nga jeta të bashkëshortes.
Kështu, pavarësisht se Kushtetuta nuk e ka të përcaktuar në asnjë nen termin e “Zonjës së Parë”, ligjvënësi e ka rregulluar me ligj këtë çështje. Është Ceremoniali i Shtetit (Protokolli i Shtetit) ai i cili i ka të përcaktuara qartë detyrat dhe kompetencat që do ketë bashkëshortja e Presidentit.
Pikërisht në këtë ligj përcaktohet gjithë ceremonia e betimit të Presidentit, roli që do të ketë bashkëshortja e tij, si dhe aktivitetet që mund të kryejë ajo më pas.
“Bashkëshortja e Presidentit të Republikës gëzon statusin Zonja e Parë e vendit. Në ceremonitë ku merr pjesë vetëm me Presidentin, Zonja e Parë qëndron në të djathtë të tij. Në ceremonitë e nderit ku ekzekutohen himnet kombëtare qëndron së bashku me zonjën e parë mike, tre hapa pas të dy presidentëve.
Në mjedise pritjesh formale, në rastet kur ka një të ftuar nderi, presidenti ecën i pari, së bashku me bashkëshorten e të ftuarit të nderit, ndërsa Zonja e Parë shoqëron të ftuarin e nderit dhe hyn e dyta pas Presidentit.
Zonja e Parë shoqëron Presidentin e Republikës në vizita shtetërore jashtë vendit, bën vetë vizita në cilësinë e zonjës së parë, jep pritje, organizon publikisht dhe privatisht ceremoni të ndryshme me karakter shoqëror, humanitar e patriotik, mban lidhje me zonjat e para të vendeve të tjera, por s’mund të marrë pjesë në punët e takimet zyrtare të Presidentit”, thuhet në ceremonial.
Këto janë të vetmet aktivitete që mund të ushtrojë “Zonja e Parë” dhe s’përfshihet këtu drejtimi i një partie as nga Presidenti dhe as nga bashkëshortja e tij, pavarësisht refuzimit që Monika i ka bërë funksionit të “Zonjës së Parë”.
Një kufizim i tillë bëhet për vetë faktin se Presidenti është subjekt i ligjit për konfliktin e interesit.
Sipas këtij ligji, ai dhe bashkëshorti/ja, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit dhe të bashkëshortit/es kanë të ndaluar me ligj ushtrimin e veprimtarive pikërisht atëherë kur veprimtaria e familjarit përputhet ose pritet me sferën e juridiksionit të zyrtarit dhe të kompetencës së tij për të vepruar, me akte individuale apo normative të nxjerra nga ai, ose kur zyrtari ka rol thelbësor dhe përcaktues në nxjerrjen e këtyre akteve.
Mirëpo Monika Kryemadhi, bashkëshorte e presidentit Ilir Meta dhe njëherësh kryetare e LSI thotë se ka hequr dorë nga të qenit “Zonjë e Parë”, ndërkohë që Meta vetë thotë se këtë funksion e ka marrë vajza e tij e dytë, Era.
Por ligji ka përcaktimin e tij në këtë rast dhe të jep vetëm dy zgjidhje: Ose njëri prej tyre, Meta ose Kryemadhi të japin dorëheqjen nga postet respektive që mbajnë, pasi ligji për konfliktin e interesit këtë parasheh, ose të bëjnë divorc, qoftë dhe formal për të mbajtur secili postin që ka.
“Nëse Presidenti është i pamartuar ose i ve, asnjë nga familjarët e Tij nuk mund të
përfaqësojë apo të luajë rolin e zonjës së parë. Në veprimtarinë zyrtare, Presidenti i Republikës
paraqitet i pashoqëruar. Në ceremonitë festive ose në kushtet kur udhëton jashtë kryeqytetit ose jashtë shtetit, Presidenti i Republikës mund të shoqërohet nga një person tjetër i familjes sipas dëshirës, por jo në rangun e zonjës së parë. Shoqëruesi i Presidentit gëzon në të gjitha rastet të drejtën e një protokolli të veçantë”, thuhet në ligjin për Ceremonialin e Republikës së Shqipërisë. Pra gjithçka është e përcaktuar qartë dhe saktë dhe Presidenti Ilir Meta tashmë duhet të zgjedhë, ose të detyrojë Monikën të dorëhiqet nga kryetare e LSI dhe të bëjë “Zonjën e Parë”, ose të japë vetë dorëheqjen si President, ose sëpaku të bëjë më të dhimbshmen, të bëjë një divorc me bashkëshorten, dhe të dy i mbajnë postet që kanë. Eshtë përcaktim ligjor./Pamfleti