Në ditën e tretë të procesit ‘screening’ të Kapitullit 24, për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë” që po mbahet në Komisionin Evropian, fokusi ishte lufta kundër krimit të organizuar.
Zvendësministri i brendshëm Besfort Lamallari, tha se gjatë ditës së mërkurë përfaqësuesit e Komisionit Europian, janë njohur me rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar.
“Në ditën e tretë të procesit ‘screening’ për Shqipërinë dhe Maqedoninë që po zhvillohet këtu në Komisionin Europian, shfrytëzuam mundësinë për t’i njohur përfaqësuesit e lartë të KE-së mbi rezultatet e arritura gjatë këtij viti në luftë kundër krimit të organizuar.
Konkretisht, rezultatet e arritura nga Task Forca Speciale në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, duke përmendur goditjen e rreth 11 grupeve kriminale, arrestimin e 175 drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre grupeve dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive kriminale që arrijnë deri në shifrën 20 milionë euro”, tha ai.
Lamallari shtoi se pasi u njohën me këto rezultate, përfaqësuesit e Komisionit Europian i vlerësuan ato dhe inkurajuan Shqipërinë që të vijojë më tej.
Procesi ‘screening’ është analiza e hollësishme e kuadrit ligjor shqiptar në tërësi dhe ecurisë së përafrimit të legjislacionit, si një nga hapat që vendi po hedh vendi për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.