Sot mbushen 110 vjet nga mbajta e Kongresit të Manastirit, i cili trasoi rrugën e përdorimit të alfabetit të gjuhës shqipe.
Kongresi i filloi punimet, më 14 nëntor 1908 dhe zgjati deri më 22 nëntor të po atij viti në Manastir, qendër e Vilajetit të Manastirit dhe një nga qendrat më të mëdha shqiptare të asaj kohe.
Në kongres morën pjesë 50 delegatë nga treva dhe shoqëri të shumta shqiptare, ndërsa prej tyre vetëm 32 patën të drejtë vote.
Studiuesi Naim Berisha, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka thënë për Kallxo.com, se organizimi dhe mbajtja e Kongresit të Manastirit në vitin 1908 ishte vazhdimësi e aktiviteteve të shumta që bënin shoqëritë dhe klubet shqiptare asokohe.
Ndonëse, ka thënë ai, edhe më herët kishte pasur përpjekje për ta organizuar një kongres të tillë, në vitin 1908, iniciativa e shoqërisë “Bashkimi” të Manastirit rezultoi të jetë e suksesshme.
“Komisioni i Kongresit kishte shumë vështirësi në përzgjedhjen e një alfabeti të pranueshëm për të gjithë, janë të njohura kundërshtimet dhe mospajtimet se cilin variant ta përzgjedhin.
Me gjitha vështirësitë, Komisioni i Kongresit e gjeti zgjidhjen duke i lënë në përdorim dy alfabete. Pas një kohe relativisht të shkurtër, alfabeti i sotshëm e fitoi primatin në praktikë dhe e vazhdoi rrugëtimin mëtutje”, ka pohuar studiuesi dr. Naim Berisha.
Sipas tij njësimi i alfabetit të shqipes në Kongresin e Manastirit ishte i një rëndësie të veçantë sepse e kodifikoi sistemin grafik të shqipes dhe e çau përpara rrugën e historisë së shqipes letrare.
“Pranimi i këtij alfabeti nga të gjithë shqiptarët, ishte hapi më i rëndësishëm në afrimin e dy dialekteve të shqipes e më vonë edhe njësimin e një varianti të shqipes standarde në Kongresin e Drejtshkrimit”, ka pohuar Berisha
Punimet e Kongresit të Manastirit zgjatën nëntë ditë dhe afro 400 veta dhanë kontributin e tyre, dhe qysh në fillim u përkrah mendimi që baza e alfabetit të jetë ai latin dhe kongresin zgjodhi një komision prej 11 anëtarëve për përzgjedhur alfabetin që do të përdoret nga shqipfolësit.
Deri atë kohë shqipja shkruhej me disa alfabete, shumica të krijuara enkas për shkrimin e shqipes, por që kishin baza në alfabetet tjera, si latine, greke apo edhe arabe.