E quajnë kontinenti i zi dhe bota e tretë. Aty ku varfëria, sëmundjet dhe sidomos objektivi për të mbijetuar janë moto e ditës… Për Afrikën mund të shkruajmë një libër, por na mjafton thjesht një faqe… sepse historia në fjalë është ajo e atyre që ia dolën të mposhtin frikën dhe të kthejnë pesimizmin në optimizëm.
Abidjan është një qytet afrikan më shumë se çdo tjetër. Zhurmë, parregullsi, kaos. Ndodhemi në Bregun e Fildishtë, aty ku shpërthimi dhe boom nisi me ardhjen e kolonializmit dhe që ende sot vazhdon të mos dorëzohet në rrugën për zhvillim. Një rritje e pakontrolluar hap pas hapi, ashtu si ndodh zakonisht, duke prekur të gjitha fshatrat përreth.
Një nga këto është Yopoungon, që sot numëron më shumë se 1 milionë banorë dhe që nga këtu mori zanafillë udhëtimi i një futbollisti që do të shkruajë historinë.
11 mars 1978, vjen në jetë një nga shumë fëmijët e këtij fshati. E ëma, që ka një simpati për presidentin jugosllav Josip Broz, e quan “Tito” kur vrapon pa rreshtur në rrugët e shkreta dhe me pluhur të rrethinave të Abidjan. Janë vitet e fundit të shpërthimit ekonomik që ka prekur Bregun e Fildishtë, duke nisur nga Pavarësia në vitin 1960 dhe që çoi vendin në olimpin e vendeve të zhvilluara me pasuri të mesme.
Djaloshi i ri niset për në Francë, ku shkon të jetojë me xhaxhain, Michel Goba, futbollist profesionist. Por, nostalgjia për shtëpinë është e fortë, shumë e fortë për të mos e detyruar të kthehet në vendlindje.
Kthehet dhe gjen krizën që sapo ka nisur: varfëria godet Bregun e Fildishtë dhe bien kështu edhe çmimet e eksportimeve që çojnë shtetin të bjerë në kolaps. Prindërit e tij, punonjës banke, humbasin vendin dhe nuk shohin asnjë shpresë për djalin e tyre, duke e ridërguar në Francë. Në 1993 bashkohen me të, në Antony, disa km larg Parisit, ku dashuria për topin ka fillimin e saj.
Për pak harruam t’iu themi se për cilin bëhet fjalë… Didier Drogba, “elefanti” i Bregut që e ngriti noçkën më lart nga sa pritej.
Afrikani më fitues dhe i madh i historisë. Një pjesë e zemrës i mbeti në Londër, aty ku gjeti oazin e tij, aty ku për nëntë vjet shënoi dhe festoi, ndërsa kapitulli më i bukur është Champions i fituar me Roberto di Matteo, trajneri që sot është pa punë, por që i dha bluve trofeun më të ndjekur dhe dëshiruar të epokës Roman Abramovich.
Tani është 40 vjeç dhe ndoshta ka ardhur momenti për të thënë mjaft, pas aventurës në Kanada, me Montreal Impact, por ndoshta “Didi” mund të vijojë, sepse pa topin ndihet i humbur, si në rrugët e fshatit Yopoungon. Në Kinë mund të jetonte si mbret, por niveli i dobët i përshkroi tej për tej emocione brenda trupit duke e shtyrë që të mblidhte plaçkat dhe të kthehej në Europën e tij.
Disa presin të ngrejë flamur të bardhë, të tjerë mendojnë se mund të vijojë, por Drogba dhe historia e një djali afrikan që ia doli është më e bukur se sa pyetjet që nuk gjejnë përgjigje, sidoqofshin ato…(Telesport)