Nga: Pëllumb Kulla
Nis me një zile në telefonin e Sali Berishës
S.Berisha – Alo? Kush jeni ju qy mundeni me më telefonue?
Zikja- Ai, zoti Berisha! Ai! I famshmi! Qytetari dixhital. Zike Pallaska më quajnë në kartë identiteti. Vetë ma keni dhënë numrin e telefonit, kështu që…
– Ah po! Harrova, kupton apo jo.
– Pas asaj që i dhatë Eni Vasilit ëndërroj edhe unë një intervistë për historinë e përmbysjes së diktaturës.
– Me kënaqësi. Doni me e botue?
– Kështu them.
– Atëherë unë po të japi përgjigjet e ti, ma vonë, mendohu dhe formulo pyetjet qy u shkojnë atyre përgjigjeve. Kështu e baj me të gjithë.
– Më fal po dua të ta prish atë zakon. Do të t’i bëj unë pyetjet e ti, zoti Sali, mendohu dhe formulo përgjigjet. Zotrote, ia ke këtë borxh qytetarit dixhital.
– Yyyyy… Ia kam! Do të të përgjigjem për gjithëçka, kuptonapojo.
– Kush e themeloi Partinë Demokratike?
– Yyyy, populli. Due me thanë urrejtja popullore. Merret me mend gjithë populli nuk mblidhet dot me formue një parti, por ne u mblodhëm e nga populli dollëm. Unë i thashë të ndjerit Azem Hajdari, thirrëm më pas edhe të ndjerin Gramoz Pashko…
– A është e vërtetë se fillimisht në krye të PD u zgjodh Azemi?
– Po, u zgjodh i ndjeri Azem, por ia banë me të pabesë ca studentë kërkonin të mos ia njihnin zgjedhjen. E mora vesh unë, u skandalizova dhe ngrita zanin në qiell. Nuk hiqet njeriu me të pabesë! U banë edhe nji herë zgjedhjet për ta riparue atë që kish ndodhë. Dhe çdo gja u vu në vend: u zgjodha unë!
– Uaaa! U zgjodhe ti?!
– Po. Unë, kuptohet, nuk pranova. Nuk pranova në asnjë mënyrë dhe kjo asht me dokumenta, kuptonapojo. Por pat grindje të ashpra konfrontime dhe unë pranova detyrën e kryetarit, vetëm qy të mos kishte gjakderdhje në selinë e PD.
– Vijmë te rrëzimi i shtatores së diktatorit… Ngjarje e madhe, ëh?
– Absolutisht, po. Jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë popujt e botës.
– Kush e organizoj rrëzimin e saj në shesh?
– Unë! Due me thanë Partia Demokratike! Unë udhëhoqa partinë, partia udhëhoqi turmat drejt sheshit. Vepra më maestoze e partisë tonë. Më e madhja e rruzullit!
– Po në filmime nuk shihet në shesh asnjë anëtar i kryesisë të PD. Ata mungonin në ngjarjen më të madhe të rruzullit! Ti vetë thua që kur ra busti, me të ndjerin Pashko ishit në zyrë. Qysh i udhëhoqët?
– I udhështymë, kuptonapojo. A nuk është njisoj?
– Ka mendime, se ajo ishte vepër e studentëve.
– Yyyy… Asht mashtrim, kuptonapojo. Ata studentë që e morën inisiativën të rrëzonin monumentin, ne i futëm në parti dhe askush nuk thotë dot që nuk kishte dorë partia jonë.
– Kush e rrëzoi, kush ia vuri litarin në grykë të ndjerit Enver… më fal!… kriminelit Hoxha?
– Anonimë!
– Anonimë? Jo ndonjë anëtar kryesie i PD?!
– Anonimë. Heronj që kombi duhet t’i ketë në memorje. U kacavjerrën lart në majë të bustit… më fal të shtatores…
– Heronj? Pra ishin anëtarë të thjeshtë të PD?
– Jo, jo as anëtarë! Anonimë, thashë! Pyesni Eni Vasilin. Kështu ia kam thanë dhe asaj. Ne nuk deshëm të ngatërroheshim, se i ndjeri Ramiz Alia do të na e merrte për keq. Ne vetëm i udhëhoqëm…
– I udhështytë…
– I udhështymë, pikërisht! Me forcë. Me frymëzim demokratik kundër diktaturës më kriminale qy njeh Europa dhe bota. Atë personin qy i vuri litarin e kërkuam qy ta fusnim në parti, po nuk patëm fat ta gjenim. Ishte hero mbi heronj ai. Se atë ditë të ikte koka!
– Po a kish rrezik që forcat e policisë të shtinin mbi turmën?
– Kishte shumë të ngjarë. Bile shoku… krimineli Ramiz, e dha urdhrin po nuk iu zbatue.
– Po sikur të ish zbatue, ju, kryesia e PD-së anëtarët e saj, nuk kishit frikë për jetët tuaja?
– Demokratët e mij nuk e njohin frikën, po ju thashë që ne ishim të gjithë nëpër zyra. Nuk kishim ngrohje. Mbaj mend, ishte 20 shkurt, ftohtë. Rrezikonim bronkopneumoninë, prandaj pardesytë e bardha i mbanim veshur. Më ka mbetur në mendje, e nuk harrohet i ndjeri Gramoz Pashko, kur ia dhanë lajmin në telefon bërtiti sa u tundën muret e zyrës: “e hodhëm!- E hodhëm!”
– “E hodhën – e hodhën!” apo “e hodhëm – e hodhëm!”?
– Kjo e dyta, se ajo vepra jonë ishte! Më kujtohet sikur të ketë qenë dje të gjithë ato ngjarje i kam të gdhendura në kujtesë. Aty u ndodhën i ndjeri Hajdari, i ndjeri Arbnori dhe të ndjerët e tjerë. Por unë nuk harroj asnjë detaj. Konfrontimi i popullit me diktaturën për pak ndodhi në hyrje të bllokut. Nuk do të rri pa e thanë, qy ka ba një akt heroik i ndjeri Ceka, më fal, se Neritani nuk është akoma i ndjerë! Gabova… Ai e pengoi gjakderdhjen e sigurtë. Neritan Ceka kërceu mbi tank! Pat marrë në krahë… se të bijën, se të nipin, se të birin dhe e ndali turmën. Gjest madhor, historik. Më duket, mos gaboj, kishte në krahë të birin, atë që më vonë Noriega Rama i shkuli veshin në mes të Vjenës. Ia kishte ruejtë inatin. Po, po, tash jam thuajse i sigurtë: ishte i biri! Se në tre intervista deri tash, kam thane e bija.
– Pse zoti Berisha, ti nuk e pe?! Ti prapë nuk ishe aty?!
– Unë isha në zyrë. Po ngarkova nja dy-tre vetë të ishin aty. Kriminelat e Bllokut, Ramiz Alia i kish sigurue: Nexhmien e kish ngjitur në Dajt. Kishte fshehur gjithë Byronë Politike nëpër tunele. Edi Ramën e kish çue tek ai bunkeri i masakrave. Ha-ha! Se më vjen me qeshë, tani… Taulant Ballën e kish fshehur në një bodrum në Librazhd… Gramoz Ruçi ishte te ky bunkeri tjetër, qy kanë ba aty tek ministria e Brendshme…
– Tek ai që kanë bërë për të kujtuar viktimat e diktaturës?
– I plasi këtyre për viktimat, kuptonaapojo. Ata bunkerët- muze, i kanë ba për me kujtue se si iu fshehën, si minjtë fshesës popullore, nga turmat e egërsueme. Po unë, partia ime, due të them, i kish porositur turmat: asnji pikë gjak! Po të ishte derdhë gjak atë ditë, nuk do kishte mbetë ma gjak për ma vonë. Çfarë do të derdhnin shqiptarët pastaj kur të vinte Nëntëdhjeteshtata? Ndalimi i gjakderdhjes atë ditë ishte fitore e madhe e Partisë Demokratike.
– Ishte fitore e partisë?! Ti sapo the e Neritan Cekës?
– Yyyy… Le t’ia lemë Cekës, ta gëzojë atë fitore sa asht gjallë. Pastaj, kur të vdesë ai, dij unë cilin hypi mbi tank, për me ndalue turmën qy don me sulmue Bllokun, kuptonapojo.
– Oooo! Po si mund të ndodhë kjo, zoti Sali?! Ka njerëz gjallë, janë dëshmitarë, ata… Historia…
– Kush po pyet dëshmitarët! Historia, phë! Ne dhe luftën Nacional Çlirimtare, më të shumtën, e bamë pas Çlirimit! Për kët historinë tonë, le të presim dhe pak…
– Po nuk është mirë. Njerëzit vdesin… Kush do të dëshmojë…?
– Kur ka shumë dëshmitarë ata nuk kanë harmoni, sejcili sjell historinë siç e do ai. Ma mirë kur asht vetëm nji. Nji si unë! Dëgjomëni mue!
Shënim: Është krijimtari e lirë mbështetur në intervista të tjera, në imagjinatë dhe në karaktere.