I ftuar në një emision grek, një nga të shoqëruarit nga Policia Shqiptare Babis Karathanos ka dhënë detaje për 9 orët që ishte në ambientet e Komisariarit.
Sipas tij, nga ana e policisë shqiptare nuk u dha asnjë shpjegim se përse po shoqëroheshin në Komisariat, ndërkohë që ka bërë të ditur edhe detaje për mënyrën se si është sjellë pala shqiptare.
Na mbajtën për rreth 9 orë në qeli, në Komisariatin e Policisë Shqiptare. Madje na vendosën në qeli të ndryshme në mënyrë që të mos komunikonim me njëri-tjetrin. Pastaj thirrën një përkthyes dhe filluan të na bënin pyetje të tipit: “Pse erdhët?; Kë takuat? apo edhe Pse përsëritët thirrje anti-shqiptare?”
Më tej, Karathanos u shpreh se as ai dhe as grekët e tjerë të pranishëm nuk bënë asgjë të gabuar gjatë ceremonisë së varrimit të 35-vjeçarit Kaçifas.
Asnjë nga ne nuk tha apo nuk mbajti fjalime raciste. Nuk e provokuam në asnjë çast shtetin shqiptar. Madje disa persona të cilët donin që të shpalosnin slogane më shumë ekstreme u ndaluan nga vetë familjarët e Kaçifas.
Babis Harallambos ishte një nga 14 personat që u shoqëruan nga Policia pas ceremonisë së varrimit të ekstremistit grek të vrarë nga forcat RENEA, Konstandinos Kaçifas. Babis-Harallambos Karathanos ka qenë ish-deputet i partisë Demokracia e Re, më tej i partisë ekstremiste të djathtë greke, LAOS.
Një ditë pas ngjarjeve të Bularatit, Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar pasi Shqipëria shpalli “non grata” 52 ekstremistë grekë, mes tyre edhe Harallambosin./Shqiptarja.com