Ish-Presidenti Bujar Nishani, i ftuar në studion e emisionit “Natë me Xhaxhiun”, komentoi situatën aktuale politike në vend.
Gjatë bisedës Nishani u ndal edhe tek dekretimi që ai i bëri kur mbante postin e Presidentit ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Nishani u shpreh se ndonëse nuk ishte dakord moralisht me Xhafajn, ai ligjërisht ishte i pastër dhe e kishte detyrim kushtetues dekretimin e tij.
“Zoti Xhafaj e kishte atë problem, por ai nuk është një problem ligjor apo kushtetues, pasi Xhafaj nuk kishte asnjë problem apo vendim gjyqësor që e dënonte për ndonjë krim në një kohë të caktuar.
Kishte pretendime të qytetarëve, të cilat i respektoj, por nuk kishte probleme kushtetuese dhe ligjore.
Në këtë rast kërkova informacion të gjitha autoriteteve të vendit, dhe pasi më erdhi përgjigja se ai ishte i pastër, atëherë unë nuk mund të mos e dekretoja, pasi do të shkelja Kushtetutën.
Ajo është një përgjegjësi morale, unë iu adresova Parlamentit për rastin në fjalë, ku i thoja se ky persona ka këtë problem moral, por jo kushtetues.
Unë nuk pajtohesha me problemin moral të Xhafajt, por nuk mund të dilja mbi Kushtetutën”, – tha Nishani.