Deputeti socialist, Spartak Braho, i cili më parë ka qenë përfaqësues i LSI, ka bërë një deklaratë bombastike kundër Presidentit Ilir Meta. Në një intervistë për ‘Shekulli’, Braho ka zbuluar bisedën private me Ilir Metën për çështjen e Sandër Lleshit, e cila ka degraduar në ofendime.
Siç tregon Braho, ka qenë Presidenti Meta, i cili ka shpërthyer në fyerje ndaj socialistëve dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë të fundit maskara. Në bisedën telefonike, Meta ka pyetur Brahon se ‘pse kruhen’, lidhur me mosdekretimin e Lleshit, por deputeti i është përgjigjur se Presidenti po fut vendin në krizë të thellë.
“Meta më mori në telefon para ca ditësh dhe më tha: Çfarë keni që kruheni? I thashë, ti s’je në vete, po e fut vendin në krizë! Jo, tha, Rama është maskara. Unë i thashë, le të jetë maskara, unë jam jurist. Unë nuk merrem me maskaranjtë. Me maskarenjtë jam marrë kur isha 30 vjeç e deri në moshën 40 vjeç. Kam dënuar shumë hajdutë dhe kriminelë. Këto janë probleme ligjore dhe kushtetuese. I thashë: mos u ngatërro, se ti nuk merr vesh nga këto punë”, tha Braho.