Këngëtarja shumë e komentuar në media e rrjetet sociale, këngët e të cilës kthehen menjëherë në hite, Enca ishte e ftuar dje në emisionin “Ndrrimi i natës” në Klan Kosova ku gjatë intervistës ka folur për herë të parë për sherrin e bujshëm me Noizyn, reperin e suksesshëm me të cilin ajo pati dhe një bashkëpunim që u kthye në hit vere.
“Do e sqaroj këtë muhabet për herë të parë dhe të fundit. Nuk e kam prekur më parë sepse nuk jam tipi i personit që dua të fryj skandale se njerëzit flasin për mua çdo ditë. Do s’do kjo u transformua në skandal dhe pjesa që më ka prekur më shumë është se unë kisha një lidhje shoqërore me atë artist. Për mua ishte zhgënjim i madh dhe vetëm për respektin që kisha për çfarëdo suksesi që kishim bashkë, unë nuk kam folur ose nuk kam folur fjalë të këqija.
Unë as nuk kam frikë, as nuk është se s’di fjalë të këqija. Unë nuk jam përjashtuar se mua s’më përjashton prej vendit tim. Ne kemi pasur suksese të mëdha bashkë, unë jam shumë krenare për ato suksese, fotot në Instagram akoma i kam, për gjithçka që kemi ndërtuar. Por në momentin që mua një person nuk më respekton dhe më hedh poshtë për asgjë, kjo tregon që ne nuk kemi qenë kurrë miq.
Nuk ishte një përjashtim, thjesht unë nuk doja të isha më pjesë e asaj gjëje. Mesazhi që mua më erdhi ishte ‘Kërko falje publikisht ose do shkruaj diçka në Instagram’. Unë i thashë ‘Hajde takohemi flasim’, por jo të gjithë kanë pjekurinë, inteligjencën dhe dashamirësinë time. Në atë moment kuptova që jo humba një shok, por që nuk e kam pasur kurrë një shok. U bë shumë e madhe dhe megjithëse unë isha viktima në këtë temë, prapë isha unë ajo që e mbylla gojën para gjithë tkurrjes së fansave që villnin vrer sepse unë jam më e madhe se gjithë kjo”, u shpreh Enca.
Këngëtarja foli edhe për fotot me lopë që Noizy postoi direkt pasi ajo publikoi këngën e re “Kujt po i han”.
“Kujt po i han nuk ishte diçka direkte për askënd. Por në momentin që dikush e merr kaq personalisht dhe është personi i parë që poston diçka menjëherë sapo del kënga, mua sinqerisht mu bë qejfi. Më vjen mirë që vazhdon të më përcjellë dhe jam e sigurt që vazhdon të më përcjellë me të njëjtin admirim. Duke qenë baba, duke qenë partner i dikujt, duke qenë një personazh kaq i madh për këtë popull, në momentin që ti nuk respekton një femër, ti nuk bën vetëm një veprim tëndin personal, por ti i tregon të gjithëve se është ok ta bësh këtë dhe nuk është fare ok”, tha Enca./sot