Kolegji i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë dje sinjale se numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që do ngelin në veting mund të shtohet në ditët në vijim. Deri më tani ky organ ka shqyrtuar ankimimet që kanë bërë emrat që kanë ngelur në veting. Pothuajse të gjitha gjyqtarët dhe prokurorët që ngelën në proces bënë ankimim, duke kërkuar rikthim në detyrë. Verifikimet për ta ishin formale dhe vendimet në shumicën e rasteve u morën në dhomë këshillimi. Por dje Kolegji ka nisur shqyrtimin e ankimimeve të bëra nga Komisioneri Publik, sa i takon emrave që e kanë kaluar vetingun.
ONM dhe komisioneri kanë mbetur të pakënaqur me rikonfirmimin në detyrë të shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për këtë arsye kanë bërë apelim, duke kërkuar shkarkim. Dje i pari i konfirmuar që doli në Apel ishte gjyqtari i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj. Por ndryshe nga sa kishte ndodhur deri më sot me emrat e ngelur në veting, dje u bë e ditur se për ata që janë konfirmuar do ketë verifikim në themel. Dje Komisioneri Publik ka nxjerrë fakte e dokumente mbi pasurinë e gjyqtarit, duke këmbëngulur se ai duhet që të shkarkohet. Por seanca e djeshme ishte një mesazh për të gjithë emrat që janë në Kolegjin e Apelimit se, do të ketë riveting për ta.
Dy emrat më të njohur janë kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe ai i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Dje u dhanë sinjale se për të gjithë të konfirmuarit në detyrë do rishikohet pasuria dhe karriera nga e para. Pra pritet që të paraqiten provat të reja, informacione të reja, madje dhe denoncime nga qytetarët që janë bërë pranë KPA dhe komisionerit.
Vetingu për Islamajn
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj ishte i pari që doli para Kolegjit të Apelimit, sa i takon emrave që janë konfirmuar tashmë në detyrë. Por dje ai pati një përballje të vështirë me përfaqësuesit e Komisionerit Publik, pasi këta të fundit nxorën dokumente duke pretenduar se ai duhet të shkarkohet. Komisioneri Publik Florjan Ballhysa është shprehur se verifikimi dhe hetimi i KPK-së për pasurinë e Islamajt nuk ka qenë i plotë. Ai ka thënë se çmimi i shitjes së një prone me 1 mijë metra katrorë në Kavajë është blerë nga Islamaj poshtë çmimit të referencës. “Në aspektin e pasurisë për subjektin Edmond Islamaj, hetimi i KPK-së s’është i plotë dhe ka mangësi. Hetimi duhej më i plotë, për pasuritë e luajtshme, të paluajtshme si edhe llogaritë bankare.
Për pronën 1000m2 në Kapen në Kavajë, që është në pronësi të Islamajt. Këtë pronë, Islamaj e ka blerë për 1000 mijë euro nga një shtetas shqiptar dhe bashkëshortja e shitësit nga Afrika. Këtë pronë e ka blerë në 2015”, tha ai, duke shtuar se çmimi i shitjes është më i ulët sesa çmimi i referencës që është miratuar nga qeveria. Po ashtu komisioneri ka thënë se toka ka qenë shtetërore dhe ka kërkuar informacione se si u ble nga Islamaj. Po ashtu ka deklaruar se është blerë 25 herë më lirë se çmimi i tregut. Ndërkohë që bëhet fjalë për një tokë buzë detit.
“Kjo pronë është 10 metra larg detit dhe është një zonë e investimeve strategjike. Kolegji duhet të hetojë se si kjo pronë u kthye nga tokë shtetërore në tokë në pronësi të Islamajt. Duhet të kontrollohen të gjitha dokumentet në hipotekën Kavajë. Çmimi në këtë zonë është 25 herë më i lartë nga çmimi i përdorur nga gjyqtari. Bashkëjetuesja e gjyqtarit Edmond Islamaj ka tre pasuri të paluajtshme. I ka përfituar në 2001, dhe si ka deklaruar asnjëherë nga 2005, po për herë të parë i ka deklaruar në 2017”, tha ai. Seanca e djeshme ishte një mesazh për të gjithë emrat e tjerë, pasi kushdo që ka boshllëqe në justifikimin e pasurisë do ketë një përballje të vështirë në Apel./Kliti Topalli