Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar në Paris me disa prej liderëve kryesore të botës si Presidenti Amerikan Donald Trump, Kancelarja Gjermane Angela Merkel, Presidenti Francez Emanuel Macron dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin.
Në një postim në twitter, Thaçi ka publikuar fotot e këtyre takimeve, ku sipas tij ka siguruar edhe mbështetje për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi po qëndron në Paris, ku u mbajt ceremonia e përkujtimit të 100 vjetorit të nënshkrimit të armëpushimit në mes Francës dhe Gjermanisë.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, por që ndryshe nga Thaçi, nuk duket të ketë gjetur të njejtën mbështetje e ngrohtësi nga personalitetet e politikës botërore.
Ndërsa Thaçi lajmëron nga Parisi mbështetjen e premtuar gjatë takimit me Trump, Presidenti ynë nuk duket gjëkundi afër liderëve botërorë.
Të vetmin “lajm” që serviri zyra e shtypit të Presidencës nga vizita e tij në Paris ishte një shtrëngim duarsh i Metës me Macronin.
Ndonëse u shit si një takim mes dy presidentëve, Macron thjesht i dha dorën 60 Presidentëve, një praktikë kjo protokollare e të zotit të shtëpisë kur i vijnë miqtë në ditë të shënuar.