Kreu i partisë Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis në një intervistë për gazetën serbe “POLITIKA” ka folur mbi vrasjen e ekstremistit grek në Bularat, Konstandinos Kaçifas.
Mitsotakis u shpreh se deklaratat mbi vrasjen e Kaçifas duhet të shmangen nga të dyja vendet pasi mund të vënë në rrezik marrëdhëniet e të ardhmes.
Vrasja e një anëtari të pakicës greke në Shqipëri lë shumë boshllëqe dhe rrethana të paqarta që autoritetet shqiptare duhet t’i shpjegojnë. Disa deklarata nga ana e tyre nuk janë të dobishme dhe ne të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm. Të mos përkeqsohen marrëdhëniet tona nga deklarata dhe veprime të tilla.
Konstandinos Kaçifas, u vra më 28 tetor gjatë një shkëmbimi zjarresh me forcat RENEA. Në Bularat, erdhën rreth 1500 nacionalistë grekë që kishin udhëtuar nga vendi fqinj në drejtim të Gjirokastrës. 35-vjeçari u përcoll drejt banesës së fundit i veshur me rroba ushtarake, ndërsa kortezhi mortor u parapri nga një flamur gjigand i vendosur në qendër të fshatit dhe u shoqërua me thirrje: “Kaçifas, je i pavdekshëm”!