Të marrët që qarkullojnë në rrugët e Tiranës kanë disa lloj temash të preferuara që i përsërisin deri në kufijtë e acarimit. Flasin kryesisht për politikë, flasin për lajmin e ditës ose flasin për njerëz imagjinarë. Por nuk flasin kurrë për para.
Një copë rrugë në këmbë në një vend të populluar, për shembull nga liqeni, ju jep mundësinë të dëgjoni copa bisedash njerëzish të panjohur. Flasin vetëm për para.
Çdo bisedë, në këtë qytet, në këtë vend bëhet për, ose rreth parave.Mjafton të kapësh me vesh një bisedë të rinjsh çfarëdo në një bar, flasin vetëm se sa kushton kjo apo ajo, sa e kanë blerë këtë apo atë, sa lek ka babai i këtij apo atij. Këta janë pasqyra e së ardhmes, sa para ka, kush i ka, e si t’i rrimë afër.
Nuk kam gjë me ata që kanë para. Kam një problem me një sistem që funksionon vetëm me para. Nuk po gjykoj të pasurit, sepse të jesh i pasur nuk është faj. Nuk është as ndonjë meritë speciale, por nuk është faj. Por duhet të gjykojmë një sistem ku të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur e të varfrit gjithnjë e më të varfër, sepse të pasurit po e ndërtojnë për veten e tyre.
Sistemi i të pasurve
Arsyeja pse paraja është bërë kaq e rëndësishme është se kemi ngritur një sistem ku i vetmi kriter vlerësimi është paraja dhe i vetmi mjet për të arritur qëllimet është leku. Në fakt, nuk e kemi ngritur, e kanë ngritur të tjerët, ne kemi qenë thjesht indiferentë ose kemi marrë pjesë meqë “kështu është” e “kështu bëjnë të gjithë”.
Për të pasur sukses me femrat, meshkujve nuk u nevojitet të jenë sharmantë, mjafton të kenë para. Për të bërë qejf, nuk mjafton të jesh kreativ, mjafton të paguash për të qenë prezent në vendin më të shtrenjtë, pub a plazh. Për t’u zgjedhur, nuk ka rëndësi se çfarë programi ke e çfarë do realizosh, mjafton të blesh votat. Për t’u arsimuar mjafton ta blesh diplomën. Ke vrarë? Nëse paguan, nuk ke vrarë, nëse nuk ke të paguash do kalbesh në burg.
Paraja zëvendëson dijen, dashurinë, diplomën, profesionalizmin, inteligjencën, çdo gjë që nevojitet për t’u vetërealizuar në jetë. Njeriu me para ka shtënë në dorë drejtësinë, postet, votat, arsimimin, shëndetin. Njeriu me para ka në dorë integritetin e atyre që nuk kanë.
Jetojmë në një sistem ku duhet të jesh i pasur për të pasur akses në sistem. Kjo ka bërë që edhe ata që nuk janë biznesmenë të gjejnë mënyrat për të bërë para. Sot. Brenda natës. Ndryshe, nuk na quhet që jetojmë. Pyetjeve se nga dalin ato para, çfarë dhunojnë e çfarë shkelin, çfarë shesin e si e shesin, mund t’i jepni përgjigje edhe vetë.
Por, pyetja është, a janë të lumtur.
Lumturia, përmes pasurisë
Të pasurit që njoh unë, drejtpërdrejt ose përmes të tretësh, janë të stresuar vazhdimisht, ruhen me truproja dhe lumturia e tyre më e madhe është të ekspozojnë pasurinë që kanë: makina, femra të reja, pushime të shtrenjta, shtëpi luksi. Ma do mendja që zilia e atyre që kanë më pak i qetëson. Metra katrorë që nuk dinë si t’i shfrytëzojnë. Pishina private ku nuk lahen kurrë. Që nuk kanë ç’u duhen.
Do kisha dashur që të kishit lexuar librin “Manifest për Lumturinë” të Stefano Bartolinit. Por, ju e dini, s’ka kohë për libra. Vetëm punojmë për të bërë para. Me shpresë që paraja do sjellë edhe gëzimin e lumturinë. Premisa e vetërealizimit është “Nëqoftë se bëj para sa ka bërë filani do të jem mirë”
Në bisedat e përditshme lejmotivi kryesor është pyetja “sa para ka/ka bërë bërë filani”. Do ishte mirë të pyesnim, “a është i lumtur”. Por kjo është një pyetje që nuk e kemi primare as për veten tonë. Përgjigja do të na trembte. Derisa kuptojmë një ditë që stresi na ka konsumuar dhe e vetmja gjë që kemi bërë ka qenë gjetja e mënyrave për të bërë para. Sepse, të mos kesh para është fatkeqësi e madhe në këtë vend.
Rrathët e parambledhësve
Do isha kurioz të dija a janë të lumtur politikanët. Dhe a mendojnë ata se njerëzit e këtij vendi janë të lumtur. E kam fjalën, për ata njerëz hallet e të cilëve nuk mbërrijnë tek ata, ose dhe në mbrritshin mbërrijnë në mënyrë virtuale.
Ndërmjet politikanëve dhe tyre janë disa rrathë të pakalueshëm, rrathët e atyre që janë sulur të bëjnë para. Prioritetet e rrathëve të interesit që rrethojnë pushtetin kanë vetëm një fokus: paranë. Edhe politikat shtetërore kanë këtë synim, si të orientojnë rrjedhën e parasë.
Ku lundërtarët, e dini se kush janë. Hapni lajmet.
Skema lumturie në vend të skemave të kafshatës
Të jesh i varfër në shoqërinë tonë të kamjes është sinonimi i së keqes më të madhe, thotë Bartolini. Është si sëmundje. Cinizmi i një nisme si “skema e kafshatës” dikur, është vrasës. Pasi kanë ndërtuar një sistem ku i vdesin njerëzit deri edhe për bukë e u marrin dinjitetin, u hedhin edhe kafshata, si qenve.
Nuk kemi për të dëgjuar kurrë një fjalim, e larg qoftë një program politik që të ketë vizionin e lumturisë të shtetasve. Një vizion, sesi të kalohet nga shoqëria e kamjes në atë të mirëqenies. Ky nuk është një prioritet. Maksimumi që mund të bëjë për ju sistemi është t’ju lërë të afroheni pranë kanalit të parave. Të tjerat, rregullojini vetë.
Kur ngjitet në pushtet askush nuk sheh dot më larg se rrethi i parë rreth vetes.
Rrethi i atyre që u rritën me një dhomë e një kuzhinë, e tani jetojnë në vila me dhjetëra dhoma. Nga të cilat, për shkak të varfërisë së ideve, përdorin prapë vetëm një dhomë. Dhe kuzhinën./Dita