Çfarë është “romani”? Në çfarë konsiston? Kur e kemi të drejtën ta përdorim këtë term, jashtë e brenda letërsisë? Qetësohuni lexues: nuk është qëllimi të jepet këtu një leksion retorike e teorie letrare. Do të doja vetëm të ndaja me ju disa ndjesi të vogla, të cilat i kam nxjerrë nga rileximi tani së fundmi, të monumentit kolosal në realitetin imagjinar (në kuptimin e dyfishtë) që është Konti i Montekristo-s nga Aleksandër Dumas (1803-1870).
Rreth Kontit ka shkruar gjëra të bukura Umberto Ecco (supermeni masiv, 2001). Por ndoshta ndonjë konkluzion mund të shtohet për kanonizimin e tij fisnik. Të shohim, duke u nisur nga fillimi.
Konti i Montekristo-s u shkruajt dhe u botua rreth 1844-ës.
Pothuajse në të njëjtën kohë, “makineria” e rëndë e prodhimit letrar, që ishte Aleksandër Dumas, konceptoi e realizoi kryeveprat e sagës së musketjerëve, “Tre musketierët”, “Njëzet vite më vonë”, “Viskonti i Brageleone”. Por Konti ishte një hap më lartë, më shumë ambicioz, për vendosjen dhe pothuajse bashkëkohësinë e ngjarjeve në lidhje me lexuesit e tij të asaj kohe.
Në sintezë ekstreme: protagonisti i romanit, Edmond Dantes, është në origjinë një marinar i ri, shumë ekspert në punën e tij dhe tejet i ndershëm, të cilit, i vihen prangat prej tre personazheve të pabesë: Fernand Mondego, Gerard de Villefort e Danglars. Ai burgoset në burgun e tmerrshëm francez të quajtur Kështjella e Ifit, e kalon disa vite në një izolim pothuajse absolut dhe në dëshpërim ekstrem (Dantes akuzohet për bonapartizëm, prandaj nuk përjashtohet që Dumas lejon që në rrëfimin e tij të pikojë nga pakëz helm antiburbonik).
Aty njihet me një tjetër të burgosur të pafajshëm, Abatin Faria, i cili erdhi e u shfaq papritur në qelinë e tij, pasi kishte gërrmuar, mes vuajtjes çnjerëzore, një tunel nëntokësor, që duhej ta nxirrte përjashtë, por një llogaritje të gabuar, e çon tamam në qelinë e Edmondit. Nga abati Faria, prifti italian i kulturuar, Edmondi kupton shumë gjëra; por mbi të gjitha njihet, përpara se Faria të vdesë, me ekzistencën e një thesari të fshehur në ishullin e Montekristos. Edmondi arratiset nga kështjella e Ifit me një mashtrim sa makabër, aq edhe të zgjuar, vihet në zotërim të thesarit dhe fillon një jetë të re. Në pjesën e dytë të romanit Edmondi kalon nga një maskim në tjetrin, në një kërkim këmbëngulës për të mbërritur deri tek hakmarrja. Vepra megjithatë, ka një fund të lumtur, si rjedhim i të cilit Edmondi rifiton të drejtën njerëzore të faljes dhe dashurisë.
Konti i Montekristos ka vuajtur negativisht në kohë “njollën” e të qënurit një roman shtojcë, i votuar në thelb për shkak të komercializmit të produktit ose, siç thuhet në kohët e sotme, prej “ligjeve të tregut”. Nuk ka dyshim që në fillim kështu ka qenë. Megjithatë rezultati e bën sot të denjë për një vëmendje më të madhe.
Le të provojmë të rilidhemi me pyetjet fillestare. Romani 1) është një tregim i fortë e kompleks, që nuk mund (e përsëris: nuk mund) të mos pretendojë dimensione të mëdha; 2) pjesë e një historie të vetme, por që do të thotë shumë; 3) është i përbërë nga personazhe që janë secili bartës të një “fati” të veçantë, i cili, megjithatë, është i thurur ekzaktesisht me atë të shumë të tjerëve; 4) mediton e përfaqëson strukturalisht një sistem raportesh midis reales dhe imagjinares, midis të mundurës dhe të pamundurës – domethënë midis asaj që është e asaj që mund të jetë, e cila gjithashtu bëhet në një pikë të caktuar, ajo që është.
Tani Konti i Montekristos paraqet pa pikë dyshimi të gjitha këto karakteristika. Po a nuk mund të vlejë i njëjti diskutim për një vepër tjetër, që sipas një gjykimi të përgjithshëm ka një shtrirje shumë më të gjerë, si “Lufta dhe Paqja”? Po sigurisht, mundet. Cila është diferenca, atëherë? Kam frikë që diferenca të jetë, siç thuhej njëherë e një kohë, në ”përmbajtje”. Pesha logjike, sentimentale, Ideali i Luftës dhe Paqes është i pashoq në krahasim me atë të shprehur nga fillimi në fund tek Konti i Montekristos.
Megjithatë, thënë kjo, gjithçka tjetër mbetet e vlefshme edhe për Kontin e Montekristos, që do të thotë që “makina” e tij rrëfyese zotëron një vitalitet kaq të jashtëzakonshëm, që e bën të ketë një vlerë të madhe edhe për lexuesit modernë. Lexuesit të sotëm, atij të cilit nuk ka më nevojë t’i thuhet që duhet të lexojë një tekst sepse do t’i jetë i “dobishëm”, i mjafton të dijë se do të jetë apasionant dhe argëtues.
Nga ky këndëvështrim, Konti i Montekristos rezervon surpriza që vështirë se veprat bashkëkohore na bëjnë të eksperimentojmë. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme: nëse sot fillojmë të lexojmë cilindo prej kapitujve të tij, është shumë e vështirë ta heqim nga dora, pa i shkuar deri në fund.
Përvoja e lexuesve të parë të Kontit, të cilët e lexonin çdo javë në një shtojcë të një organi të kohës, dhe me sa duket shprehnin pritjen e mbushur me ankth që diçka do të ndodhte, mund të ripërjetohet edhe nga lexuesit e sotëm të cilët do të lodhen jo pak për t’u shkëputur nga teksti në pika kyçe të tregimit, për t’u kthyer tek përditshmëria e tyre, shumë më banale.
Fakti është se “romanceskja”, ajo origjinalja, është tjetër gjë, në krahasim me atë që ne kemi renditur tashmë. Është projektimi i një botëkuptimi që nuk do të ishte në qoftë se ky roman nuk do të shkruhej. Është e gënjeshtërt në çdo rast, të kërkosh për dëshmi të vërteta të asaj që ne shohim të rrëfyer. Ajo që ne shohim në tregim është gjithashtu një Realitet – një realitet që dallohet qartësisht prej faktit që ne vazhdojmë të besojmë në të dhe ta quajmë “realitet”.
Nga kjo pikëpamje, Konti i Montekristos është një thesar i vërtetë pasurie – pasuri sigurisht e gënjeshtërt, por e destinuar që të rrisë nevojën tonë për një realitet “tjetër”, që nuk reduktohet në meskinitetin e jetës sonë të përditshme.