Me miratimin e Kodit të ri të Etikës me 40 sjelljet, që politikanët duhet të evitojnë në jetën politike por edhe atë private, një pikë e këtij kodi, thotë qartë se veç konsumimit të drograve apo alkoolit, deputetët s’duhet të pranojnë as dhurata të shtrenjta, që në dijeninë e gazetës, një pikë e tillë ekziston në kod dhe është në një shifër të përcaktuar.
Por fatkeqësia e kodit të mëparshëm, është moszbatimi dhe indiferentizëm total nga e gjithë klasa politike për ta harruar qëllimisht atë, për tu “pasuruar” me gjoja pretekstin se këtë orë, çantë, makinë, shtëpi dhe vilë… e kam të “dhuruar”, jo se e kam paguar dhe ligji nuk ka ekzistuar.
Në krye të listës së “dhuratave” qëndron kryetarja e LSI, dikur gruaja e presidentit të sotëm Ilir Meta, e cila është akuzuar shpesh për dhuratat milionëshe që merrte sa herë kishte datëlindjen, me zarf apo pa zarf, me transferta bankare apo jo, klering me ar ose diamant, mjafton që shifra në fund të eventit të plotësonte kërkesat e zonjës.
Mëposhtë mund të lexoni dhe një artikull i botuar nga gazeta TemA, për gjerdanin e famshëm 250 mijë euro, të bërë “dhuratë” nga një listë biznesmenësh pranë pushtetit, që paguan “haraçin” pushtetares Monika Kryemadhi, ditën e datëlindjes./Ekskluzive.al
“Një festë e shfrenuar luksi, me biznesmenë dhe politikanë, në një nga hotelet më të shtrenjta të kryeqytet, po vazhdon të trondisë opinionin publik për nga shifrat e bëra publike.
Rreth 150 pjesëmarrës, prej të cilëve rreth 100 biznesmenë, janë ftuar të kontribuojnë për një dhuratë super të shtrenjtë që Monika Kryemadhi u ka kërkuar për ditëlindjen.
Bëhet fjalë për një gjerdan që kushton 250 mijë euro, një shifër tronditëse që, u sigurua falë disiplinimit të biznesmenëve që do të çonin dhurata.
“Na u rekomandua që të mos blinim dhurata, por të lidheshim me organizatorin dhe të kontribuonim në euro, për të arritur kuotën që nevojitej”, i tha një biznesmen pjesëmarrës në datëlindje.
Disa biznesmenë janë ish miq të çiftit Meta, por të tjerë janë viktimë e rrethit të biznesit të tyre, që është nën kontrollin e Ministrisë së Ekonomisë. Shumica e tyre ishin njerëz që kanë përfituar koncesione, ose që kanë raporte me pushtetin e LSI-së në qeveri.
“Na u tha prerë që nuk duhet të blini dhurata pa pyetur”, thotë një tjetër biznesmenë, të cilët qendrojnë anonimë nga frika. “Na caktuan një koordinator dhe ne paguam aq sa kërkuan. Askush nuk lejonte dhurata pa marrë më parë miratimin”, vijon ai.