Të portretizosh një artist, aktor, këngëtar, shkrimtar, piktor a ndonjë sfere tjetër të artit, në përmasat e një shkrimi të tillë, nuk është e lehtë, pasi duhet të hulumtosh për jetën dhe veprimtarinë e tij. Unë si autor, për fatin tim të mirë, nuk e kam këtë vështirësi, pasi këto personazhe i njoh nga afër dhe shpesh, thjesht në bisedat e lira me ta, arrij, jo vetëm të mbledh ato që më duhen, por edhe në ndonjë rast pse jo, të kem edhe oponencën e tyre.
Megjithatë, shpesh i ndjej vështirësitë dhe përgjegjësitë, sepse personazhet nuk janë aspak të zakonshëm, por në veprimtaritë e tyre janë figura që kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë. I tillë, shumë i afërt por dhe i largët, një figurë komplekse, është edhe aktori i Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës, humoristi i mirënjohur Besnik Çinari, për të cilin mora përsipër të bëj këtë shkrim. Pak më sipër thashë që është shumë i afërt dhe kjo mund të them se është çelësi i artë, pasi vetë Besa në një tavolinë, pa pretendime, të rrëfehet me modesti dhe fjalë të thjeshta të ngjyrosura me humor për jetën dhe veprimtarinë e tij artistike.
Si për të gjithë kolegët e tij, artistët e mëdhenj që ka nxjerrë skena shkodrane dhe që janë pjellë e tabanit kulturor të këtij qyteti, ashtu edhe për Besnik Çinarin, sfondi që e shoqëron është Shkodra e tij me historinë, pejsazhin e mrekullueshëm, rrugët plot diell dhe humorin e njerëzve që nuk shteron kurrë. Në këtë taban lindi dhe u rrit edhe ky talent i ardhshëm i skenës së humorit shkodran dhe shqiptar.
Natyrshëm, pas pyetjes sime për fillimet e tij në rrugën e artit, Besa (edhe unë në shkrim do ta quajë kështu, siç e njohin të gjithë) e filloi kështu rrëfimin e tij: “Unë jetën artistike e kam filluar qysh në moshën 15-vjeçare, kur më ka marrë i madhi Pjerin Ashiku në estradën e Parkut të Mallrave, ku kam gjetur aktorë të shkëlqyer, sidomos Kel Pogu, Gëzim Leka, Margarita Nika, Luçie Dashi e shumë tjerë, të cilët nuk po i përmend të gjithë me emra. E ndjej për detyrë të mos e anashkaloj emrin e Pjerin Ashikut, e këtij artisti të madh që është edhe autori i tekstit dhe muzikës së këngës shumë të njohur “Lulja e majit”, një këngë që në të gjitha vlerat e saj është puro shkodrane. Me hapjen e Pallatit të kulturës “Vasil Shanto”, nën drejtimin e regjisorit të trupave amatore, Verdi Take them se ëndrrat dhe dëshirat e mia gjetën hapësirë për t’u bërë realitet në skenë.
Gjatë aktivizimit në këtë pallat, me ndërhyrjen e aktorit të madh Gëzim Kruja, filloj punë në Fabrikën e Cigareve dhe po me ndihmën e tij përfundoj aktor në Estradën e Teatrit “Migjeni”. Është viti 1982 me 10 maj, kur kam filluar punën si aktor profesionist, para 32 vitesh. E kam pasur shumë të vështirë të çaj në atë kohë, pasi aty kam gjetur jo vetëm kapot e humorit të Shkodrës, por të të gjithë Shqipërisë, si Tano Banushi, Hasan Smaja, Bik Pepa, Gjosho Vasija, Paulin Preka, Zef Deda, Zyliha Miloti, Landi Shala, Drande Xhaj, Katrina Biga, Gëzim Kruja, Sandër Ruçi etj”.
Shërbimi ushtarak ka lënë gjurmë në jetën tënde personale dhe artistike. Ç’mund të na thoni për këtë periudhë? Me që po më kujtoni shërbimin ushtarak, po ju tregoj diçka që nuk e ka bërë askush në Shqipëri deri më sot dhe zor se mund ta bëjë kush më. Thonë që shkodrani të tana i ban, veç polic jo, por unë pata fatin të bëj shërbimin ushtarak në Degën e Punëve të Brendshme të Durrësit. Kam qenë në polici, kam bërë me policinë një shfaqje ku për herë të parë në historinë e Degëve të Punëve të Brendshme të Shqipërisë janë “thyer dyert” në Durrës.
Aty pastaj, regjisori Gjergj Vlashi më propozoi që të rrija në Durrës, por nga që isha fëmija më i madh, dëshiroja të vija në Shkodër dhe të kontribuoja për familjen time. Unë Shkodrën nuk e ndërroj me tanë botën. Me që më ka dhënë zoti dhunti që të shkruaj vetë, kam mbijetuar që në vitet e para. Pas disa vitesh avash-avash u poqa si aktor me ndihmën e regjisorëve që kam pasur si Paulin Sekuj, regjisorin e parë, shumë vite, Edmond Mhillin, Gjergj Vlashin e Durrësit, por edhe Tonin Ujkën, Zehrudin Doklen, Arben Haverin, Bardh Smajën, Bruno Shllakun e shumë të tjerë, që kanë vënë shfaqje në skenë.
Me kalimin e viteve padyshim që çdo aktor, jo vetëm unë, por edhe të tjerë, pas disa kohësh rriten profesionalisht dhe skena fillon e bëhet e jotja. Më pëlqen përshkrimi që bëre për aftësitë tuaja dhe lidhjen e tyre me bashkëpunëtorët në skenën e estradës, por më shumë më pëlqen pjesa e fundit ku ti pretendon se skena është bërë e jotja. A është e vërtetë kjo? Mund të them se skena më është bërë edhe më e afërt se gruaja se më ka qëlluar si Ago Ymeri, pa e bërë një javë martesë me u nisë në turne me një grua tjetër që e kishte emrin “Estrada”.
Kështu pra unë kam bashkëjetuar me familjen time, por dhe me një familje tjetër të madhe, plotësuese shpirtërore që quhet skenë. Një ditë prej ditësh e ndjeva veten të rritur, të pjekur, të përgatitur profesionalisht për të përballuar sfidat që sjellin prezantimet para publikut, qofshin dhjetra e qindra vetë, apo mijëra vetë. Artisti një ditë e ndjen stadin ku ka arritur, por megjithatë shpirtërisht ndjen se deri sa të jetë në këtë jetë do të kontribuojë, sepse në gjuhën popullore e ka “mikrob”. Nuk mund ta harroj kurrë, kur për herë të parë, u prezantova në skenë, në skeçin “Pezhishkat” në rolin e fshatarit përkrah Tano Banushit dhe Zyliha Milotit. Si aktor profesionist, ne kontribuonim për trupat amatore të ndërmarrjeve dhe institucioneve dhe unë mendoj se ky kontribut më plotëson biografinë artistike, sepse “më hante maraku” që edhe t’i shkruaja pjesët vetë.
Ama, ajo që më mbetet ndër mend është vënia në skenë e komedisë “Binjakët” e shkruar nga Qazim Çela, ku rolin kryesor e kanë luajtur humoristët e grupit “Thumbi” Muhamet Çekini dhe Bujar Ademovi si dhe aktorët Muharrem Hoxha, Bardh Smaja, Marie Qyrsaqi, Drande Xhaj dhe një aktore tjetër shumë e mirë Rudina Smajlaj. Me grupin “Thumbi” kam organizuar shumë shfaqje ku sukses të plotë kemi arritur në qytetin e Ulqinit çdo të premte, duke parodizuar formatin “Kutia e fundit” të TV Klan, të drejtuar nga Enkel Demi. Unë e titullova “Fundi daltë hajr” dhe “E pakta past bereqetin” ku janë aktivizuar shumë aktorë e këngëtarë si Bashkim Alibali, Myfarete Laze, Mukades Çanga etj. duke qenë regjisor i këtyre shfaqjeve, të cilat u kthyen në festë për publikun ulqinak.
Pas viteve ’90, pas një eksperience dhe përvoje të grumbulluar, natyrisht hyra me vështirësi në hapësirat e reja që u krijuan, por dhe me guxim. Mendoj se solla në skenë edhe pendën time. Kam shkruar shumë për sofrat shkodrane, si “Sa bukur na ka dalë nana”, komedi të ndryshme, jam bashkautor i komedisë “Bik Brodher Shkodra 1”, kam shkruar “Bik Brother Shkodra 2” vetë komplet, “Alo telebingo” dhe së fundi jam bashkëpunëtor me një komedi të Fadil Krajës, të cilën me lejen e autorit e kam rishkruar për skenë.
Kam shkruar shumë parodi, kuplete, skeçe, grimca humoristike, tekste këngësh. Ku mund të veçoj shkrimet në vargje në një sërë veprash për figurat e shquara sidomos të qytetit tonë, por edhe për humoristët e Estradës Profesioniste të Durrësit kolegëve si Fadil Hasa, Muharrem Hoxha, etj. Si një shkodran i vërtetë, nuk mund të quhem Besë Çinari në qoftë se nuk do të shkruaja edhe për atë që e dua fort, “Vllazninë”, sepse që ta dini ju, kur u themelua Shoqëria “Vllaznia”, ishte kulturore, artistike e sportive. Kështu që kam shkruar edhe për futbollistët që “ta kanë fshehur topin nëpër fushë” deri në portë si: Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Din Zhega, Paulin Ndoja e shumë figura të tjera të Shkodrës të cilëve iu kam përshkruar karrieren e tyre në vargje. Skeçi “Dan Dupi”, në të vërtetë do të ishte më saktë të quhej një mikrokomedi, pasi elementët e tij artistik, në përmbajtje dhe shtrirje në kohë, i plotëson këto kushte, prandaj ai erdhi në skenë gati-gati si një komedi e vogël. “Dan Dupi” ka qenë skeç shumë i suksesshëm dhe këtë sukses e arriti, sepse ishte shumë aktual. Kanë qenë edhe disa monologje që i ka shkruar shumë bukur i ndjeri Paulin Selimi, Kolec Pepa, Ahmet Kamberi. Ka përshtatur edhe i madhi Tano Banushi.
Edhe aktori i famshëm Paulin Preka ka shkruar materiale shumë të bukura. Në këtë linjë mund të përmend edhe shumë pjesë të tjera ku kam luajtur si: “Big Brodher Shkodra 1”, “Big Brodher Shkodra 2”, komedinë që ka shkruar Qazim Çela “O vajzën, o Komunën”, “Vëllai nga babai”, “Kollovari” apo komedi të tjera si “Milioneri pa asnjë kacille” e Kristo Florit e vënë në skenë nga regjisori Elez Kadria, e të tjera. Shumë e bukur ka qenë edhe komedia “Surpriza” e Fadil Krajës që kam interpretuar me aktoren e madhe Zyliha Miloti si partnere e imja sidomos tash 20 vitet e fundit dhe me aktorë të tjerë. Në fillimet e tua ti përmend me nostalgji Durrësin. Përveç kujtimeve nga jeta ushtarake a ka vazhduar më pas bashkëpunimi me aktorët e Estradës së këtij qyteti?
Po shumë e drejtë. Kam luajtur edhe me aktorët e mirënjohur të humorit durrsak e shqiptar, Muharrem Hoxha, Aishe Stari e Fadil Hasa, por kam shoqëri të ngushtë edhe me parodistët e Vlorës, të cilët janë të mrekullueshëm, me humoristët e Tiranës të ndjerin Vasillaq Vangjeli, Vegim Xhani, Veli Rada, aktorët e Estradës Profesioniste të qytetit të Korçës të ndjerin Aleko Prodani, Arben Dervishi e shumë të tjerë, për të vazhduar me Ceken si dhe ata të Estradës Profesioniste të qytetit të Fierit, Luftar Paja, Todi Llupi, Arqileja etj. të cilët i kam jo vetëm kolegë, por edhe shokë.
Qëllimi i intervistës sime me ju ishte që, nëpërmjet këtij bashkëbisedimi të evidentojmë disa nga momentet më kryesore të jetës tuaj artistike. E di që ty të pëlqejnë surprizat, prandaj kur ta lexosh shkrimin do të kënaqesh me këtë surprizë, pasi edhe ato që do të gjesh do të jenë intervista, por jo me ty. “Diçka më shkon mendja, por me që kështu e ke menduar ti, po e lëmë surprizën, surprizë”. **** Për të plotësuar më mirë figurën e Besnik Çinarit unë kontaktova me disa nga miqtë e kolegët e tij, duke marrë disa opinione: E filluam me aktorin e mirënjohur të Estradës Profesioniste të qytetit të Durrësit z.Fadil Hasa dhe ai me dashamirësinë më të madhe ndër të tjera tha: “Besnikun e kam mik shtëpie, është në të radhët artistë në Shqipëri që i kemi ngrënë bukën njëri-tjetrit, më ka pritë e më ka përcjellë si djalin e shtëpisë. Ma ka bërë Shkodrën më të bukur e më të dashur, megjithëse për Shkodrën kam nostalgji të jashtëzakonshme, pasi kam kryer gjimnazin aty. Kripën ma ka dhënë Durrësi, sheqerin më ka dhënë Shkodra.
Kam pasë bindjen që do të bëhej një aktor i mrekullueshëm, pasi kanë spikatë që herët batutat e tij, mjeshtër i fjalës që në fillimet e tij, sajimet e tij ishin të pabesueshme. Fati im që më bashkoi me Besen, ishte koha e ushtrisë. Ishte ushtar në polici në portin e Durrësit. I shkoi një natë tek porti dhe e gjej ulur tek kabina e shërbimit dhe i them kërkoj një polic nga Shkodra, Besnik Çinarin. Pse ç’ka të duhet, më tha. I thashë se sonte du me u arratisë. Besniku shikoj orën dhe më tha: Hajde më vonë, se ke ardhë heret. Është një artist profesionist i vërtetë i cili e ka me bollek nurin”. Edhe aktori i humorit në Estradën Profesioniste të Durrësit Muharrem Hoxha shprehu gatishmërinë e tij për të na dhënë vlerësimet e tij për Besën: Besnik Çinari është miku më i hershëm i imi dhe i familjes sime. Rrethana që jam njohur me të ka qenë se ai ka bërë ushtrinë në Durrës, ka qenë polic, ndërkohë unë kam qenë tek Pallati “Rinia” si aktor amator dhe më ka shkruar një material që titullohej “Ç’farë s’bën halli”. Kam lënë nam me atë skeç. Më vinte keq se më pyetshin kush e ka shkruar dhe kur ju tregoja se e ka shkruar një polic shkodran, nuk e besonin. Besniku në radhë të parë është tepër njerëzor, është një bashkëshort i shkëlqyer dhe prind i mrekullueshëm. Një aktor me nur, një pendë e shkëlqyer, me një komunikim brilant me publikun, i afërt me kolegët. Ai kur shkruan një material, më tepër mendon t’i japë batuta kolegut se sa vetes.
Lum ai kolektiv që e ka pranë. Fati i Besnikut ka qenë që ka punuar me artistë të mëdhenj, por dhe fati tjetër i madh që ai ka në krah edhe “Mjeshtren e madhe” të humorit, Zyliha Miloti. Nuk e di pse po vonohet drejtoria e teatrit “Migjeni” dhe Bashkia e Qytetit të Shkodrës për t’i dhënë atë titull që publiku shkodranë dhe i gjithë Shqipërisë ja ka dhënë me kohë “Artist i merituar”. Unë do guxoja me plot gojën dhe nuk mendoj se bëj gabim dhe e them me zë të lartë titulli “Mjeshtër i madh” i takon më tepër se “Artist i merituar” për të gjitha ato vlera që ai ka. Kam besim që ishalla kjo fjalë nuk shkon kot. Besoj se në ditëlindjen e tij kjo vonesë do të korrigjohet se s’bën. I uroj të gjitha të mirat në familjen e tij, më dhëndurrë, me nipa e mbesa, e përqafoj me shpirt familjarisht me djalë, me grua e me nuse. Sinqerisht më bëhet qejfi që ju z.Çeka po bëni një punë shumë fisnike, ju lumtë që po vlersoni këto figura të papërsëritshme të skenës shqiptare.
Megjithë shpirt ju falenderoj për kontributin tuaj për këta artista të mëdhenj. **** Me që këto mendime i morëm në bregdet, menduam të bënim “një udhëtim” edhe pak më në Jug, për t’u takuar me atë treshe të famshme “Mosketerësh” nga Vlora, që armën e tyre, humorin e kanë vënë në shërbim, jo të një mbreti francez, por të një mbreti më të madh që është publiku shqiptar, i cili edhe pse është i varfër, është i pasur me humor. Kjo i ka bërë këta “Mosketerë” të jenë të suksesshëm në të gjitha trevat shqiptare. U zgjata pak për të treguar se humori shqiptar nuk është krahinor, por një cilësi vitale e një populli të mençur. Kështu morëm edhe një opinion nga parodistët e Vlorës, ku humoristi Agron Hamo me pasion e respekt të jashtëzakonshëm u shpreh për Besnik Çinarin: “Pas një mbledhje të shkurtër së bashku me kolegët e mi, Afrimi, Muhameti dhe Manja, u ra dakord që, me që nuk mund të flitnim të tre përnjëherë, opinionet për kolegun në fjalë, t’i thoja unë si më poshtë vijon: Është një ndër aktorët e plejadës së madhe të aktorëve të shquar të Shkodrës.
Nuk mund të imagjinohet humori i bukur shkodran pa të famshmin Besnik Çinari të cilin natyra e ka krijuar të tillë “bullafiq” që të jep atë nurin e bukur që kërkon spektatori. Shkodra ka fatin e madh që ka një dialekt të shkëlqyer që i jep nur çdo shkodrani, e bën atë interesant dhe të pranishëm në çdo ambient. Kur rrinë dy shkodranë, më duket sikur ato losin me njëri-tjetrin.
Kjo i dedikohet dialektit shkodran. Kam patur fatin e madh të luaj jo vetëm me Besen, por edhe me të mëdhenjtë Tano Banushi, Paulin Preka, Gëzim Kruja, Gjosho Vasia, Zyliha Miloti, Zef Deda, pra me këtë buqetë të bukur të këtyre aktorëve të mëdhenj”. Dhe kthehemi përsëri në Shkodër. Zyliha Miloti “Mjeshtrja e Madhe” aktorja shumë e mirënjohur e humorit shqiptar, heziton përpara se të fillojë të më jepte një opinion për aktorin e madh Besnik Çinari. “A e din pse po hezitoj, sepse nuk po di nga t’ia filloj. Me fol për Besen duhet një natë e gjatë dimri, pasi veprimtaria e tij artistike është shumë e gjërë dhe e larmishme. Besnik Çinari është aktor i talentuar dhe shumë i dashur për spektatorin shkodran dhe atë shqiptar.
Para 32 vitesh u prezantua në trupën e estradës profesioniste, duke hyrë kështu në rrugën e karrierës së tij artistike, e cila do ta radhiste më vonë krah plejadës së artistëve të mëdhenj. Që të jesh artist i mirë, së pari duhet të jesh njeri i mirë, me virtyte të larta dhe shumë njerëzore, përndryshe nuk ke vlerë edhe si artist. Për fatin e madh Besniku i ka të dyja këto cilësi. Ai shquhet për korrektësinë e tij si artist, si koleg, si shok shumë i mirë dhe besnik ashtu siç ka edhe emrin, mbi të gjitha aktor i kompletuar. Nuk harroj një thënie të artistit të madh Tano Banushi i cili thoshte: “Për me të shku mendja për diçka duhet me pas mend”. Besës përveç talentit i fali Zoti edhe shumë mend, të cilët i demostron në materialet që shkruan, në pasurimin e roleve me batuta dhe situata të kolegëve të tij më shumë se për vete, me qëllim që materiali të dalë sa më i bukur. Fat i madh për ne dhe për të gjithë teatrin që e ka.
Jam shumë e lumtur që kam përkrah një partner si Besnik Çinarin. Kemi shumë vite që interpretojmë bashkë këtu dhe në diasporë, duke fituar simpatinë e artëdashësve ngado që ndodhen. Janë të panumërta skeçet, dialogët, komeditë e viteve të fundit së bashku me trupën e estradës që e ka lakmi gjithë Shqipëria. Besa ka shkëlqyer në të gjitha materialet ku ka interpretuar si tek: “Tom Dushku”, “Wikend 96-97”, “Ndihmat italiane”, “Çështje Familjare”, “Mbas mullarit”, “Dasma e Refikut”, “Emrat”, “Tekniku i lavatriçes” e dhjetëra role pa mbarim. Artistë si Besa lindin rrallë, prandaj i uroj të ketë jetë sa më të gjatë në skenë, figura sa më të bukura të realizuara me vërtetësi, si dhe suksese të mëtejshme. Uroj megjithë zemer që përvjetorin e lindjes më 4 prill, t’ja festojmë me një titull të lartë, ashtu siç e meriton. Me mendimin dhe dëshirën time besoj se janë të gjithë kolegët e dhe artdashësit shkodranë”.
“Mjeshtri i Madh” këngëtari Bujar Qamili herë pas here është treguar i gatshëm të shprehë opinionin e tij për personalitetet e artit dhe kulturës në Shkodër, por në këtë rast ai u tregua disi ndryshe pasi tha: ” Të flasësh për aktorin e madh Besnik Çinari nuk din nga t’ja fillosh, pasi ai është një humorist i përmasave të mëdha por dhe një krijues, i cili ka një pendë të mprehtë. Ai shkruan vazhdimisht materiale humori shumë të bukur, por me humorin e tij profesional dhe origjinal bën për vete shumë zemra artëdashëse shkodrane si dhe në të gjithë Shqipërinë. Një Besë i mrekullueshëm, batutat e tij janë të pakrahasueshme, një mik shumë i mirë. Unë kam kaluar shumë vite me Besen në estraden profesioniste dhe ajo që është kryesorja, nuk e di se si mund të shikohet një premierë estrade pa prezencën në skenë të këtij humoristi i cili në brendësinë e tij ka një memorie fantastike”. Edhe miku i afërt i Besës, aktori dhe regjisori Bardh Smaja, na tha: “Mos kujto se po i bie shkurt. Këto që po them i mendova gjatë për t’i thënë sa më saktë.
Besnik Çinari është me përvojë të madhe jetësore. Bagazhi i tij ka me qindra ngjarje dhe karaktere të ndryshme, të cilat i ka hasur vetë në jetë. Kjo e bën Besen që me qenë gjithmonë prodhimtar dhe befasues në interpretimin e tij”. Drande Xhaj, aktorja e mirënjohur e Estradës Profesioniste të Shkodrës, e qeshur dhe alegro na thotë: “Zor e kam me folë seriozisht, por në këtë rast nuk kam nga t’ja mbaj. Besnik Çinari është një aktor i mrekullueshëm që di të transmetojë në mënyrë të përkryer emocione dhe humor tek spektatori, di ta përdorë në formë të shkëlqyer batutën. Përveç aktor i jashtëzakonshëm, është mik dhe shokë i pazëvendësueshëm. Në çdo aspekt mund t’i kërkosh ndihmë dhe e ke derën hapur. Besa gjithmonë na krijon atmosferë në studion e provave me humorin e tij. Kemi shumë për të kujtuar, por momentalisht po veçoi: Në kohën e vizave na bëhet një ftesë për një turne në Londër në një koncert.
Qëndrimi atje ishte 3 ditë, Besa thotë: unë ma shumë rri te halla në Bushat”. Në vazhdim të bisedës me Besen mendova se është me interes për lexuesin dhe i drejtova këtë pyetje: “Gjatë karrierës tuaj artistike, cili është momenti më i bukur që ka lënë mbresa tek ju, si artistë i humorit prej viteve”? Momenti më i rëndësishëm që e kam ditur se do të jetë, në një shfaqje në Prishtinë, ku kam thënë përmendësh krejt qytetet e Kosovës dhe kur kam ardhur nga fundi: “Zhur, Llap, Kaponik, Caralev, Metvegj e Kaçanik, Kaçanik, Kaçanik, shpallë Kosovën Republikë”, aty kam parë njerëz duke qarë e duke hedhur fanelat, nuk kishin frikë as policinë, sepse kjo shfaqje është dhënë në kohën e Serbisë, dhe arriti me më thënë pronari – Besë tash po të nisim në pako postale për Shqipëri. Kosova Republikë mos e thuaj! Por unë nuk munda të rri pa e thënë sepse o nuk e bëj numrin fare ose e bëj siç bëhet, pasi u bënte fjalë për patriotizmin. Kemi dhënë shumë premiera edhe në vendet e ndryshme të Botës si në SH B A, Kanada, Angli, Gjermani, Itali, vendet e Ballkanit nuk diskutohet në vendet shqipfolëse. Jeta është e shkurtër, mua më duket sikur kam filluar para dhjet vitesh në teatër. Puna në teatër dikuj mund t’i duket e lehtë por ajo realisht është shumë e vështirë, sepse ka përgjegjësi të madhe artistike dhe profesionale. Shkodra është vendi që ka nxjerrë talente siç po i shohim tek “X Factor”, “Voice of Albania”, “Gjeniu i vogël” etj.
Shkodra është “maternitet” artistësh. Në këtë kontekst më ka pëlqyer shumë këngëtari Alban Skënderaj i cili në një emision tha, vërtetë unë jam nga Vlora, por nuk mund të rri pa deklaruar se pa Shkodrën nuk ka art, nuk ka Voice, nuk ka X Faktor, vlerësime të kësaj natyre na ngrohin. Ne kemi ardhë në dynja për të vënë një tullë në qytetin tonë. Ka njerëz që vënë një rresht tulla, ka njerëz që bëjnë edhe një mur, por për detyrë e kemi secili ta vëmë një tullë në këtë kala, kalanë imagjinare të Shkodrës, sepse kalanë tjetër e kanë ndërtuar ata të vjetrit. Me e rritë qytetin tonë, me e përfaqësuar sa më shumë, është detyrë, nder dhe krenari. Me qenë shkodran, është edhe detyrim i madh, me qenë shkodran, përfiton vjetërsi pune, me qenë shkodran, antitodi se do të përballesh me njerëz të mençur. Ne shkodranëve na gjuajnë, sepse kanë thënë gjithmonë se pema që ka kokrra gjuhet.
A ke dëgjuar ti Ramazan se e ka gjuajt plepin kush, por gjuajnë fiq, gjuajnë arra. Ne jemi arra, lajthi, nuk jena kaliboba. Është me interes të dimë diçka për marrëdhëniet tua me publikun. Ne kemi një spektator të shkëlqyer të cilit i jemi borxhli tanë jetën. Mos të harrojë lexuesi i këtij shkrimi sa vështirë është me ba me qeshë në Shkodër. Këtu gjithë populli ka humor, ka edhe një të mirë të madhe tjetër që asnjë batutë, nuk të ik bosh. Këtu ta kapin humorin në fluturim, pa e nxjerrë prej goje qeshë publiku. Humori është edhe zgjuarsi, populli i Shkodërs është edhe popull i zgjuar, humori padyshim që është zgjuarsi dhe karakteristikë e këtij populli. Por jeta është edhe gjatë, prandaj sa të kemi mundësi, sa të kemi frymë, do të shkruajmë dhe do të interpretojmë me shumë përgjegjësi për këtë publik të mrekullueshëm. Edhe ty të falenderoj për shkrimin që po bën, bile që ta dish mirë shpesh bëhem edhe xheloz për tekstet e bukura që shkruan. Të lumtë dora dhe mendja. Sa jam punëtorë, shpesh jam edhe dembel stambollet, se si i thonë një fjale, as Hoxha nuk hip në minare pa pare. Po e kupton vetë se ku e kam fjalën. Punë shumë e pare pak.
Nejse, ky është problem tjetër sa as në farë e fisin tim nuk e zë me gojë. Tanë krenohen me mua, por ata marrin rrogë më shumë se unë, ata shesin mend me rrogë, unë i shes mend me punë. Sidoqoftë ne jemi rëra, të tjerët janë uji. Para se ta mbyllim intervistën do të doja edhe një mendim për prurjet e reja në gjininë e humorit, cili është mendimi juaj. Në qoftë se ka prurje, me këto prurje a punon kush nga ana artistike? Mendoj se ky është një problem i madh. Dikur kanë qenë festivalet e ndërmarrjeve, qendrave të punës e të prodhimit, kooperativat bujqësore, shkollat dhe institucionet ku janë zbuluar talentet e reja. Janë thyer dyert kur kanë dhënë shfaqje ndërmarrjet, të gjithë ne që sot lujmë në skenë kemi dalë prej ndërmarrjeve dhe institucioneve kulturore amatore, si Shtëpia e Pionierit, Shtëpia e Kulturës, Pallati i kulturës, Klubi i Rinisë, Klubet e Ndërmarrjeve dhe Shtëpive e Vatrat e kulturës nëpër fshatra.
Me punë të palodhshme, mësuesit dhe specialistët kanë zbuluar talente që në karrierën e tyre të mëvonshme kanë arritur majat. Koha moderne që jetojmë, nuk është se nuk ka institucione, por çdo gjë i lihet spontanitetit. Gjithsesi duhet lavdëruar puna e mrekullueshme në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, sidomos me bilbilat e vegjël që vazhdimisht organizon Drejtori i këtij institucioni Kujtim Alia.
Ndjehem shumë i mërzitur që nuk po gjej një partner të ri që “ta kapi në dorë” e ta përgatis për të më zëvendësuar mua dhe brezin tim një ditë. Mendoj se Bashkia dhe Drejtoria Arsimore duhet t’i paraprijnë këtyre punëve, t’i referohen historisë së artit, kulturës e sportit, jo vetëm duke deklaruar Shkodrën si djep i tyre, por të bëjnë përpjekje që në këtë djep të rriten gjithmonë talentët e ardhshëm, ashtu siç janë rritur figurat e shquara që nga: Marubi, Osja i Falltores, Heti i Molla Sylës, Hila i Files, Kolë Gurashi, Kolë Idromeno, Prekë Jakova, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Pjetër Gaci, Tish Daija, Tano Banushi, Tinka Kurti, Ndrek Prela, Adem Kastrati, Serafin Fanko, Hasan Smaja, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Shtjefën Palushi, Ismail Lulani dhe një plejadë sportistësh si: Loro Boriçi, Ramazan Rragami, Din Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Zmijani, Sinani etj. Për ta mbyllur me shkencëtarë e shkrimtarë si: Besnik Sykja, Vehbi Bala, Kolë Ashta, Jup Kastrati, Fadil Kraja, Skënder Drini, Paulin Selimi etj.
Ta dijë mirë gjithkush se këto janë emrat që po më bien tani ndër mend, pasi galeria e këtyre personazheve është shumë-shumë më e madhe dhe më e pasur dhe uroj nga zemra që kjo galeri të pasurohet me portrete të rinj, vazhdues të denjë të të parëve. Duke ju falenderuar sinqerisht për mendimet tuaja po e mbyllim këtë intervistë, duke shpresuar se sadopak ata do të ndikojnë për të përmirësuar gjëndjen e artit në Shkodër dhe institucionet përgjegjëse do ta kenë në konsideratë këtë mendim, lidhur me prurjet e reja dhe zhvillimin e mëtejshëm të artit, kulturës e sportit në Shkodër. Përgatiti: Ramazan Çeka