Shpallja “non grata” e 52 grekëve që bënë thirrje raciste në Bularat, në homazhin e Konstandin Kacifas, me sa duket i ka irrituar edhe më shumë ekstremistët e partisë neonaziste “Agimi i Artë”.
Por burime nga Athina, për portalin ekskluzive.al, bëjnë me dije se një grup prej rreth 150 personash të kësaj partie, kanë dal rrugëve të kryeqytetit grek me thirrje raciste, duke terrorizuar lagjen e këtij qyteti, sidomos bashkëatdhetarët që jetojnë atje.
Mësohet se ekstremistët grekë kanë dal mesditën e sotme, duke thirrur në kor:
“Sëpata dhe zjarr, për qentë shqiptarë!”, thotë burimi i gazetës në Athinë, i cili e citon në greqisht frazën: “Cekuri qe fotia, gia ta alvanika skilia”.
Ishte “fat” sipas burimit, që nuk pati asnjë incident apo përplasja me grupin e ekstremistëve, por se shqiptarët që jetojnë në shtetin fqinj ndjehen të kërcënuar dhe të rrezikuar nga këto sjellje.
Tirana zyrtare duhet të reagojë menjëherë, që të tilla shfaqje mos të përsëriten më dhe emigrantët shqiptarë mos të ndihen të frikësuar apo kërcënuar në shtetin fqinj me organizime antiligjore dhe krejtësisht terroriste, përpara se të tilla sjellje të shkaktojnë ndonjë incident diplomatik mes dy vendeve./Ekskluzive.al