Bashkimi Europian ka rritur presionet ndaj Presidentit Ilir Meta sa i takon refuzimit të Sandër Lleshit. Ashtu siç gazeta e paralajmëroi një ditë më parë, ditën e djeshme në zyrën e Presidentit Ilir Meta ka shkuar raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Mësohet se takimi mes tyre është fokusuar tek çështja e Sandër Lleshit, ku Fleckenstein ka kërkuar informacion nga Meta se çfarë e shtyu atë të refuzojë propozimin e kryeministrit Edi Rama.
Po ashtu, gazeta ka mësuar se eurodeputeti ia ka bërë të qartë Presidentit Ilir Meta se Ministria e Brendshme nuk duhet të bllokohet, pasi nga lufta kundër korrupsionit varet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pra, duket qartë se të gjithë institucionet ndërkombëtare si ambasada e Bashkimit Europian dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, përfshi edhe eurodeputetin kanë dalë hapur kundër Presidentit Ilir Meta, sa i takon mosdekretimit të Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm.
Brukseli vlerëson Lleshin
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein po dje pati një takim me mediat në “Shtëpinë e Europës”, ku i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me mosdekretimin e Sandër Lleshit nga ana e presidentit të Republikës, Ilir Meta. Gjatë fjalës së tij, Fleckenstein pohoi se Europa ka vlerësim pozitiv për drejtuesin e Ministrisë së Brendshme, Sandër Lleshin, të cilin Presidenti nuk u bind që ta dekretonte si ministër. “Së pari, informacioni që kam unë në lidhje me z. Lleshi është shumë pozitiv. Por nga ana tjetër nuk e di nëse e kam të gjithë informacionin pasi presidenti mund te ketë disa informacione më të thella që e çojnë të marri këtë vendim. Nuk jam unë personi që duhet ta kritikojë Presidentin pasi nuk i di arsyet pse ai ka marrë atë vendim.
Nga organizatat ndërkombëtare di që z. Lleshi ka komente të mira, pritet mirë prej këtyre institucioneve”, deklaroi ai. Po ashtu, raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein deklaroi dje se BE dhe Shqipëria duan që të kenë një Ministri të Brendshme funksionale, ndërsa theksoi se nuk është në dijeni të arsyeve se pse Meta nuk e dekreton Lleshin. “Nuk do të guxoja të mbaja anë këtu, por kemi një interes të përbashkët. Shqipëria dhe BE kërkon që të kemi një Ministri të Brendshme që të jetë funksionale. Dhe kur themi funksionale them ministër.
Presidenti nuk ishte i bindur plotësisht dhe sot dëgjova se qeveria do t’ia japë të njëjtin propozim sërish. Se di çfarë arsyesh ka presidenti. Nuk e di se cila është gjëja e mirë apo jo. I njoh këtë politikanë dhe shpresoj se do të ketë një zgjidhje për këtë çështje”, deklaroi raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein.
Në krah me europarlamentarin, ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili foli me superlativa për zotin Sandër Lleshi kur vuri në dukje faktin se gjenerali gëzon vlerësime të larta në Bruksel: “Për z. Lleshi mund të konfirmoj që komuniteti ndërkombëtar e vlerëson punën dhe reputacionin e z. Lleshi dhe për këtë arsye unë mund të konfirmoj atë që tha z. Fleckenstein, pra që z. Lleshi është një zyrtar i lartë, mjaft i njohur, i cili është trajnuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Për këtë arsye, ai edhe gëzon një reputacion shumë të mirë”, deklaroi ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.
Rigels Seliman