Ish-kongresmeni amerikan dhe themeluesi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i vetmi grupim lobues për shqiptarët në Uashington, Xhozef DioGuardi, i ka befasuar të gjithë me deklaratën e tij pro shqiptarëve. Amerikani ka mbrojtur interesat e kombit tonë gjatë një seance dëgjimore në nënkomisionin e punëve të jashtme të Kongresit, për Europën dhe Eurazinë, kundër lobuesit serb, Ivan Vejvoda, ish- këshilltarit për politikë të jashtme në qeverinë serbe të Zoran Xhinxhiç dhe Zoran Zivkoviç.
Ndërsa lobuesi serb, Vejvoda, u përpoq të tregonte se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ishte në rrugën e duhur, DioGuardi ndërhyri për të hedhur poshtë këtë pretendim.
“Si mund të ketë normalizim të marrëdhënieve kur në të gjitha rastet që i ofrohen Serbisë, ajo thotë se ne asnjëherë nuk do ta njohim shtetin e Kosovës. Si mund të keni integrim evropian kur 5 vende nga 28 vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Dhe mos harroni se kush janë shqiptarët. Ata janë më pro amerikanët, më pro demokratikët, dhe më tolerantët në aspektin fetar. Janë ata që në shtator 2001 ecnin duke qarë nëpër rrugë me qirinj në duar, ndërsa serbët, grekët, malazezët dhe maqedonasit kërcenin nga gëzimi. Ata nuk janë sllavë. Nuk duhet të ishin futur kurrë në një shtet të quajtur Jugosllavi. Ky ishte gabimi më i madh pas Luftës i Botërore”, tha ai.
DioGuardi gjithashtu kritikoi Bashkimin Europian se duke i mbyllur dyert të rinjve të Kosovës, po i detyron të drejtohen nga Turqia, ndërsa Departamentin Amerikan të Shtetit për lobimin e pakët në BE për çështjen shqiptare.