Pas hetimeve për aferën e privatizimit të OSSH nga çekët e CEZ, pritet që të zbardhet një tjetër skandal, ai i marrëveshjes me DIA. Prej disa kohësh prokuroria ka nisur hetimet mbi marrëveshjen e famshme CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve, ku deri më tani pas hekurave ka shkuar administratori i DIA, Kastriot Ismailaj. Mirëpo së fundmi janë mbyllur hetimet dhe për dy zyrtarë të tjerë, që janë drejtuesit çekë të CEZ. Prokurorja Antoneta Sevdari i ka dorëzuar Gjykatës së Tiranës të gjitha provat e organit të akuzës ndaj dy ish-drejtuesve çekë të CEZ-it, Josef Hejsek dhe Jan Ivan, të akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda. Sipas pretendimeve të prokurorisë, dy ish-drejtuesit e CEZ në bashkëpunim me Kastriot Ismailajn, kanë paguar me vetëdije faturat e Ismailajt në vlerën e rreth 5 milionë eurove, duke e ditur se punët nuk ishin realizuar dhe se faturat ishin fiktive. Por ndaj tyre është dhe një tjetër padi, e bërë nga juristi i OSHE, Romeo Kara, i cili edhe ka dëshmuar në prokurori kundër tyre. Në padi Kara akuzon 7 persona, teksa në listë janë dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti, Ilir Meta. Në një deklaratë për gazetën, Kara ka thënë se duhet të hetohen dy personat e mësipërm, pasi kanë bashkëpunuar drejtpërdrejt me çekët. Sipas tij, në prokurori ai ka depozituar një video me dëshminë e gruas së Kastriot Ismailajt që e tregon qartë këtë gjë. “I bëj apel Prokurorisë që të ngrihet në nivelin e misionit të saj dhe të ushtrojë një investigim të plotë pa u emocionuar nga emrat e përfshirë në këtë aferë. Me zë dhe figurë, gruaja e Kastriot Ismailaj akuzon për korrupsion Ilir Metën, por ai vazhdon i qetë të livadhisë në krye të piramidës shtetërore, falë konformizmit të prokurorisë. Akuza për korrupsion, e ngritur nga unë, në drejtim të ish drejtuesve çekë të CEZ-it, e plotëson më së miri tablonë e çështjes, pasi ndaj tyre deri më tani është ngritur vetëm akuza për mashtrim. Ky korrupsion është kryer në bashkëpunim dhe me bekimin e Metës dhe Berishës. Janë shitur në mënyrën më të pacipë interesat e vendit, për të mbushur xhepat e pushtetarëve”, tha ai.
Dëshmia e Vojsava Ismaliajt
Hetimet për padinë e Romeo Karajt po bëhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas tij, prova që tregon gjitha abuzimin e CEZ është një intervistë e Vojsava Ismailajt. Në intervistën e saj, gruaja e Kastriot Ismailajt akuzon drejtpërdrejt Ilir Metën. “Kemi kaluar shumë dreka dhe darka së bashku: Ilir Meta i kishte forcuar lidhjet me Kastriotin që në kohën e krijimit të FRESH-it. Kastrioti kishte ndërmjetësuar edhe pajtimin e Ilir Metës me Fatos Nanon dhe ky është një fakt i njohur publikisht. Për t’ju rikthyer historisë së CEZ-it, po sjell vetëm një shembull: ka qenë pikërisht Ilir Meta, që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit që t’u kërkonte çekëve që ta shpërblenin atë, pra Ilirin, me pretendimin se ai i kishte bërë të fitonin miliona euro”, ka thënë ajo. Më tej Ismailaj ka hedhur akuzua se ulja e çmimit të energjisë ndaj CEZ ka qenë e qëllimshme. “Dua të sqaroj gjithashtu se Rebeka (përfaqësuesja ligjore e DIA) ka qënë disa here në Shqipëri. Hera e fundit, që unë di, daton me fundin e muajit nëntor 2014. Ajo është pritur nga Majlind Lazimi, i cili është i afërm i Monika Kryemadhit dhe më pas nga Arian Laçi si dhe nga njerëz të OSHEE. Më pas ajo ka takuar Ilir Metën në banesën e tij dhe në dt 1 dhjetor 2014 ajo ka ndryshuar në QKR administratorin, duke vendosur sit ë tillë një person të quajtur Ali Cena”, kas vijuar ajo./Kliti TOPALLI