Ilir Meta ka hyrë në luftë me ndërkombëtarët për çështjen e Sandër Lleshit. Dje ka reaguar për të parën herë ambasada e SHBA, ndërsa mbërriti me urgjencë në Tiranë reporteri për Shqipërinë, Knut Fleckesntein. Ambasada e SHBA ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke deklaruar hapur se Ministria e Brendshme duhet që të jetë tërësisht funksionale. Mesazhi dukej qartë që i drejtohej presidentit Meta, pasi është ai që ka bllokuar emërimin e titullarit të institucionit. Ambasada e ka bërë të qartë se duhet të mos ketë asnjë pengesë në luftën ndaj krimit.
“Përgjatë muajve të fundit, jemi inkurajuar nga përparimi që kemi parë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri – rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët. Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen. Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA. Më tej është bërë e qartë se nuk do të ketë asnjë tërheqje në luftën ndaj korrupsionit dhe zbatimit të reformës në drejtësi.
Amerikanët kanë deklaruar se do të japin asistencë konkrete në këtë aspekt. “Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë. Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e reformës në drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar”, thuhet në deklaratë.
Fleckenstein vizitë në Tiranë
Ditën e djeshme ka mbërritur në Tiranë reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Arsyeja e vizitës së tij ka qenë pikërisht bllokimi i Sandër Lleshit nga Ilir Meta. Dje Fleckenstein ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje, ndërsa sot do takohet me Ilir Metën, ku pritet t’i kërkojë këtij që të japë pëlqimin për Lleshin. “Pata mundësinë të flisja me kryeministrin dhe shpresoj të kem mundësinë të flas edhe me të tjerët dhe pastaj mbase do të kem një mendim për këtë (për çështjen e Lleshit)”, tha ai. Fleckenstein u ndal dhe te konflikti politik.
Ai i dërgoi një mesazh të qartë opozitës. “Shpresoj shumë që politikanët të gjejnë gjuhën e përbashkët për ligjin elektoral për t’i treguar Bashkimit Europian që ky vend është i përgatitur, por do përqendrohemi së pari në reformën në drejtësi, sepse prioritetet e tjera mund të nisin paralelisht nëse ekziston një gjyqësor i pavarur”, tha Fleckenstein dje. Pak ditë më parë reagoi dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca. Edhe ai tha se Ministria e Brendshme duhet të jetë tërësisht funksionale, duke nënkuptuar se nuk mund të ketë pengesa në emërimin e ministrit. Por krahas tij “Zëri i Amerikës” dhe “Deutche Welle” kanë shkruar duke deklaruar qartë se Kushtetuta nuk i jep të drejtë Metës për një veprim të tillë.
Nga ana tjetër ndërkombëtarët gjithmonë kanë bërë thirrje për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe bllokimi i dekretit në këtë moment vështirëson avancimin e Shqipërisë drejt BE. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditë në vijim, duke qenë se kryeministri i la disa ditë afat presidentit të mendojë vendimin. Por mazhoranca tani ka vetëm dy rrugë: të çojë çështjen në Kushtetuese ose të nisë procedurat për shkarkimin e Metës. Që të dyja kanë problematika, pasi Kushtetuesja nuk është funksionale, ndërsa sa i takon shkarkimit PS nuk i ka votat. Por rasti i Lleshit është sinjal i qartë i një “lufte” të ashpër mes Qeverisë dhe Presidencës./Kliti Topalli