I riu nga Tropoja, Fatjon Zhaborja i cili mesnatën e kaluar aksidenti taksinë në Maminas ku udhëtonte 23-vjeçarja Elena Avdillari, e cila humbi jetën në vend bashkë me drejtuesin a automjetit, Bujar Agalliu, ka qenë i dënuar më parë për tentativë vrasje.
Në vitin 2005, 13 vite më parë, Fatjon Zhaborja atëherë 19
vjeç, i lindur të Rragam të Tropojës, ka tentuar të vrasë me thikë në Tiranë shtetasin Agron Kasapi, 53-vjeç ngjarje kjo e regjistruar pranë ambasadës greke. 53-vjeçari ka mbetur i plagosur, por fatmirësisht pa rrezik për jetën.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga kryeqyteti dhe për rreth një javë është fshehur në Gjirokastër, ku edhe ka rënë në prangat e policisë. Zhaborja është dënuar për krimin dhe mësohet se ka lënë qelinë e burgut pak vite më parë.
Mbrëmjen e kaluar Fatjon Zhaborja bëhet sërish protagonist i kronikës së zezë, këtë herë për një ngjarje edhe më të rëndë, pasi me “Benzin” e tij nxori nga rruga taksinë ku udhëtonte Elena Avdillari, nënë e një fëmije dhe drejtuesi i taksisë Bujar Agalliu. Taksia u përplas me bordurat e pikës së karburantit duke bërë që dy personat që udhëtonin me të, të humbnin jetën tragjikisht.