Banorët e zonës së “Astirit” në Tiranë kanë dalë sërish në protestë mëngjesin e sotëm duke bllokuar rrugën. Ata kanë deklaruar se nuk do lejojnë prishjen e banesave deri në marrjen e dëmshpërblimit.
Me pankarta në duar banorët kanë zënë të dyja anët e Unazës së Re, e për këtë arsye është bllokuar totalisht qarkullimi. Në vend kanë shkuar forcat e policisë.
Prej disa ditësh banorët po protestojnë për të kundërshtuar prishjen e banesave duke kërkuar dhe bisedime me qeverinë.
Banorët shprehen se projekti është zgjeruar dhe prek 490 objekte dhe jo 300 sa thotë qeveria.
Ata thonë se i kanë banesat në proces legalizimi, ndërsa nuk do lejojnë prishjen e tyre.