Luan Zhegu është një nga kantautorët më të suksesshëm shqiptarë, me një talent që e ngjiti në skenat më prestigjoze muzikore. I vlerësuar me shumë çmime, për interpretimin e tij autentik, për kthjelltësinë dhe cilësinë e zërit, por dhe për aftësinë e tij si kompozitor ai ka marrë titullin “Mjeshtër i madh i skenës”. Një titull sa i merituar aq sa dhe pak i çuditshëm për sistemin e vlerësimit të artistëve të suksesshëm. Si të gjithë intelektualët shqiptarë dhe sot Luan Zhegu vuan zhgënjimet e një shoqërie që rri larg artistit të vërtetë.
Ai sot është i papunë me gjithë vlerat e tij, me gjithë titujt dhe kontributet e mëdha që ka dhënë ndër vite për muzikën shqiptare. Ndonëse nuk ndjehet kurrë larg nga ai lëmsh i madh shpirtëror që i shpërthen në një muzikë të plotë, të veçantë dhe tejet moderne. Interesi i tij për politikën nuk e ka larguar kurrë nga pasioni i tij i madh: muzika. Për të cilën ndjehet tërësisht xheloz.
Me angazhimin e tij në politikë, përkatësisht me të majtën disa vite më parë, kantautori e dinte që ndërmerrte një risk. Ai kishte bërë një emër të mirë në muzikë, por që nuk i kushtoi shumë, sepse asnjë fans i tij nuk u largua nga ky angazhim. Emri i tij mbeti i paprekur, bile mori vlera akoma më njerëzore. Edhe në pozicionet si kryetar minibashkie ai tregoi gjithnjë të njëjtin karakter: i qetë, i ndjeshëm, social, familjar dhe i ekuilibruar. Qëndronte pranë halleve të tjerëve me zemërgjerësi dhe thjeshtësi duke i ndihmuar sa mundej.
Ndonëse kandidimi i tij për deputet nuk pati happy end, përsëri ai nuk e ndjen veten larg politikës, edhe pse fushata elektorale i solli largimin e gruas së tij nga puna. Indiferencën e politikës ndaj tij e justifikon me problemet e shumta dhe të papritura që sjellin situatat shqiptare njëra pas tjetrës. Ai vazhdon të krijojë dhe të merret me muzikën e tij duke u përgatitur për kompeticionet më serioze të muzikës nga të cilat nuk mungon kurrë. Jeta, sipas tij, është e mbushur gjithnjë me të papritura. Çdo eksperiencë duhet të ruhet si Asi Spathi nën mëngë.