Babis-Harallambos Karathanos është ekstremisti grek i arrestuar sot në Bularat, pasi organizoi një turmë të ardhur nga Greqia me autobusë për në ceremoninë e Konstandinos Kaçifas, të bllokonte për rreth 10 minuta, aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë, duke shkaktuar kaos dhe trafik. Në pranga janë vënë edhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë të Karathanos.
Në fshatin Bularat të Gjirokastrës ditën e sotme në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të ekstremistit Kaçifas ishin të pranishëm mbi 1500 nacionalistë grekë, mes tyre edhe Babis-Harallambos Karathanos. Report Tv siguroi pamjet kur Karathanos është në krye të kortezhit, por edhe në kishë. Ai ka kryesur turmën edhe në fund të ceremonisë për të paralizuar qarkullimin e automjeteve nga Gjirokastra në drejtim të pikës kufitare të Kakavijës dhe anasjelltas.
Babis Harallambos në krye të arkëmortit për Konstandin Kaçifas
Por kush është Babis-Harallambos Karathanos?
Emri i Babis-Harallambos Karathanos është i lidhur me një ngjarje tragjike në jug të vendit. Në prill 1994 sulmohet në mesnatë posta policore kufitare në Gjirokastër dhe për pasojë vriten dy ushtarakë shqiptarë, një oficer dhe një pjesëtar i FA i cili u ekzekutua në vendroje. Karathanos arrestohet një vit më pas në Greqi, pasi akuzohej nga autoritetet shqiptare si njeriu që hyri në territorin shqiptar bashkë me një grup të armatosur prej shtatë personash të cilët kryen masakrën.
Mes të arrestuarve ishte edhe Fredi Beleri, një personazh i njohur në Himarë, kandidat edhe për kryetar bashkie. Por të gjithë të arrestuarit u liruan dhe sot e kësaj dite masakra e Peshkëpisë nuk ka autorë pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Karathanos njihet edhe si bashkëpunëtor i afërt me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. Të dy ata janë fotografuar në disa aktivitete të OMONIA-s dhe PBDNJ-së në Greqi me karakter kryesisht antishqiptar dhe me thelb të ashtuquajturin Vorio-Epir. Aktivitete politike Karathanos ka zhvilluar edhe në Shqipëri përkrah Vangjel Dules apo dhe Vasil Bollanos.
Karathanos në një aktivitet me Vangjel Dulen në Athinë
Harallambos ka lindur në Greqi, por prindërit e tij janë me origjinë nga Dropulli. Babis-Harallambos Karathanos nga viti 1982-1989 ka qenë kryetari i SFEVA – (Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio-Epirit).
Babis-Harallambos Karathanos ka qenë ish-deputet i partisë Demokracia e Re, më tej i partisë ekstremiste të djathtë greke, LAOS.
Babis-Harallambos Karathanos ish-deputet i Partisë Demokracia e Re
Babis-Harallambos Karathanos ka shkaktuar tensione edhe në Himarë disa vite më parë, duke e cilësuar edhe këtë zonë si minoritare në funksion të tezës së Vorio-Epirit.