Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i është rikthyer listës prioritare të vetingut me thirrjen në seancë dëgjimore të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci të premten. Troci është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë- institucion që pret përfundimin e tre kandidatëve të fundit për t’u ngritur.
Hetimi administrativ për Ramadan Trocin është kryer nga trupa gjykuese e drejtuar nga Pamela Qirko dhe me anëtare Genta Tafa Bungon dhe Suela Zhegun.
Prokurori Troci e ka nisur karrierën në institucionin e akuzës në vitin 2000 dhe përgjatë një dekade ka punuar si prokuror në Bulqizë dhe në Dibër. Në vitin 2012, ai u transferua në prokurorinë e Tiranës, në vitin 2014 në prokurorinë e Vlorës dhe prej vitit 2016 punon si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Ramadan Troci nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.