Policia e Tiranës ka kryer kontrolle mëngjesin e sotëm në disa akse rrugore për të ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit.
Vëmendja ishte përqendruar tek drejtuesit e autobusëve të linjave urbane, ndaj të cilëve ka pasur ankesa për manovra të rrezikshme në rrugë, konsumim alkooli dhe përdorim celulari.
Kështu, përgjatë 1 ore u kontrolluan 78 drejtues autobusësh të linjave të ndryshme dhe dy prej tyre rezultuan nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu, përgjatë kontrolleve u vendosën edhe 34 goba për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Njoftimi i plotë:
Tiranë
Policia Rrugore e Tiranës, nisur nga shqetësimet e shumta të adresuara në numrin emergjencave 112, në lidhje me shkeljet e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve të transportit publik qytetas, kryesisht telefonata për përdorim alkooli nga drejtuesit e autobusëve, manovra të rrezikshme në rrugë, mosrregullim shpejtësie etj., organizoi disa pika kontrolli me aparat Drager, në orët e para të mëngjesit, me qëllim verifikimin dhe kontrollin e nivelit të alkoolit tek drejtuesit e mjeteve të kësaj kategorie, ku përgjatë 1 ore u verifikuan dhe kontrolluan 78 autobusë të linjave të ndryshme urbane dhe vetëm dy prej tyre rezultuan nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu përgjatë kontrolleve u vendosën edhe 34 masa administrative, për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia e kryeqytetit falënderon të gjithë qytetaret që përcjellin shqetësimet e tyre në adresë të Policisë së Shtetit dhe garanton përgjegjshmëri dhe profesionalizëm në vlerësimin dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.