Amerikanët dhe gjermanët i dhanë ultimatum Metës të hiqte dorë nga pazaret me kreun e SHISH, po pengonte luftën kundër terrorizimit
Tre ditë pasi deklaroi publikisht se nuk do ta dekretonte pasi ashtu kishte bindjen, Ilir Meta ka firmosur me urgjencë emërimin e drejtorit të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Meta e mbajti peng për një vit kandidatin për drejtor të SHISH, për llogari të pazareve të tij politike dhe ekonomike.
Një forcë e jashtme mësohet se ka kërcënuar presidentin e pazareve që të emërojë me urgjencë kreun e SHISH. Disa orë pas qëndrimit publik, kur tha se nuk do ta dekretonte Bendon, Meta ka marrë një ultimatum. Pranë rrethit të tij thonë se është kërcënuar me hapjen e një dosje të rëndë që mund t’i kushtonte disa vite burg.
Shërbimi Informativ Shtetëror është institucioni më i rëndësishëm në Shqipëri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, sa i përket bashkëpunimit në luftën kundër terrorizimit. Funksionimi i këtij shërbimi pa drejtues mësohet se ka shqetësuar fort partnerët ndërkombëtar. Ata i kanë kërkuar llogari Metës se pse nuk pranonte propozimin e Ramës për drejtorin e ri. Kur kanë mësuar se Meta nuk kishte ndonjë arsye konkrete, por e mbante peng Bendon vetëm për të realizuar pazaret e tij dhe të Monika Kryemadhit, i kanë dhënë ultimatum ta dekretonte.
Mësohet se ultimatumi Metës i është komunikuar nga përfaqësues amerikanë dhe gjermanë. Për të kuptuar forcën e jashtme që ka detyruar Metën të dekretojë kreun e SHISH, mjafton të sjellim në vëmendje se çfarë tha Meta tre ditë më parë. “Unë vendos me bindje të plotë. Në rastin aktual as se kam kthyer e as se kam konfirmuar. Shumë të mirë e kemi marrëdhënien me zv. Drejtorin aktual të SHISH. Rrethanat se si u bë dorëheqja e zotit Ajazi e cila ka qenë një dorëheqje jokorrekte, sepse ajo i jepet presidentit dhe jo kryeministri.
Ai nuk meritonte të sillte një dekret tjetër në presidencë, unë e konfirmova sepse i kisha vënë kusht që të vazhdonte luftën me drogën dhe krimin. Unë kam qenë dëshmitar në mbledhje të sigurisë kombëtare. Unë duke të njohur ty, e di që po ta kishte bërë ty, ti as dekretim për ta bërë ambasador e as dekoratë nuk do i jepje. Unë i kam dhënë dekoratë sepse ka mbajtur qëndrime shumë të qarta sa i vlen luftës kundër drogës dhe krimit. SHISH ka punuar më mirë se shumë institucione të tjera në këtë fushë”. Tre ditë më vonë, Meta nxori dekretin për emërimin e kreut të SHISH.
“Dekret për emërimin e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit. Në mbështetje të nenit 92, pika f, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj:
Neni 1. Zoti Helidon Bendo, emërohet në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit. Neni 2 Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. Nr. Dekretit 10937. Tiranë, më 05.11.2018”./Pamfleti