Mbrëmjen e së martës në qytetin e Durrësit u ekzekutua Edison Harizaj, miku i Emiljano Shullazit dhe u plagos 33-vjeçari Genci Caca, i cili ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë RENEA dhe FNSH kanë rrethuar Durrësin, Tiranën, Fushë Krujën dhe Kavajën duke kryer kontrolle të rrepta për kapjen e autorëve.
Si ndodhi ngjarja
Edison Harizaj ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës, kur i është bërë pritë nga dy persona në lagjen nr.13 në Durrës. Ndaj makinës “AUDI” ku udhëtonte Harizaj bashkë me mikun e tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Vendi ku autorët ekzekutuan mikun e Shullazit nuk ka ndriçim, ndërsa më pas u larguan në sens të kundërt të autostradës. Autorët pas atentatit kanë shkuar në zonën e Shën Vlashit të Durrësit dhe kanë djegur makinën me të cilën kryen vrasjen, e cila ishte e vjedhur, më pas u larguan me një tjetër makinë për të humbur gjurmët.
Pistat e hetimit
Viktima e këtij atentati Edison Harizaj dyshohet se është ekzekutuar për hakmarrje, pasi ka qenë i përfshirë në zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë. Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë edhe për disa ngjarje kriminale në vend. Ngjarja e rëndë në Durrës, ka bërë që drejt qytetit bregdetar të niset RENEA. Pika kontrolli janë ngritur në Tiranë, Fushë Krujë dhe Kavajë.
Vritet në pritë në Durrës Edison Harizaj, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Një atentat me armë i është bërë 39-vjeçarit nga Vlora Edison Harizaj i cili ka mbetur i vdekur, ndërkohë që i plagosur rëndë mbeti shoku i ngushtë Genci Caci, 33 vjeç. I plagosuri është dërguar fillimisht në spitalin e Durrësit, më pas në Tiranë në Spitalin e Traumës ku ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi ka disa plagë në trup. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.13 në Durrës.