Vendimi i presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm mund të sjellë dhe fundin e tij në krye të shtetit. Kryeministri Edi Rama dje i bëri thirrje të reflektojë, ndërsa la të nënkuptohet se do të ketë reagim dhe më të ashpër në ditët në vijim. Reagimi më i ashpër është padyshim ndërmarrja e nismës për të shkarkuar Ilir Metën. Ka shumë debate ditët e fundit nëse mund të shkarkohet ai dhe a e bën dot këtë gjë mazhoranca?
Sipas juristëve më në zë, Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën. Ata kanë deklaruar se në nenin 98 ai detyrohet të zbatojë kërkesën e kryeministrit, i cili është zgjedhur nga populli. Për më tepër Meta refuzimin nuk e ka bazuar në asnjë nen kushtetues. Kjo mjafton për ta shkarkuar. Por si mund të shkohet deri këtu? Në nenin 90 të Kushtetutës përcaktohet se, Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
Ndërsa në Rregulloren e Kuvendit procedurat janë më të detajuara. Aty thuhet se kërkesa duhet të paraqitet me shkrim te kryetari i Kuvendit dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë. Me paraqitjen e propozimit, kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.
Më pas kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve. Më tej thuhet se Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore.
Në rast se Kuvendi rrëzon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e paraqitur, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës ndërpritet. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij. Nëse kjo e fundit e cilëson të drejtë vulos shkarkimin.
Vështirësitë e mazhorancës
Nga procedurat e mësipërme duket se mazhoranca përballet me dy probleme nëse ndërmerr nismën për shkarkimin e Metës. Së pari duhen 93 vota dhe së dyti duhet Gjykata Kushtetuese. Nëse marrim çështjen e votave, gazeta raportoi një ditë më parë se Robert Bitri u bashkua me PS, ndërsa gati janë dhe ata të PDIU. Por pritet që dhe deputetë të LSI dhe të PD të shkojnë me PS. Nëse vërtet mazhoranca do shkarkimin e Metës numrat dhe mund të gjenden. Sa i takon Kushtetueses, kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja ka deklaruar se në fillim të 2019 pritet të ngrihet Gjykata kushtetuese. Pra sinjalet janë se mund të kemi një ashpërsim të luftës Meta-Rama dhe në lojë është dhe shkarkimi.
Kliti Topalli