Kryeprokurorja Arta Marku ka nisur të përgatisë terrenin për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin. BE ka kërkuar arrestime të bujshme deri në muajin qershor dhe pritet që të ketë lëvizje në javët në vijim. Gazeta ka siguruar një udhëzim që kryeprokurorja u ka dërguar të gjithë vartësve të saj, ku njihen me procedurat e reja të përgjimit. Dihet që për të çuar pas hekurave bosët e krimit dhe pushtetarët e korruptuar ka nevojë për përgjime dhe ditët e fundit Marku ka ndryshuar procedurat, duke nxjerrë një udhëzim të ri. Aty jepen detaje se kur kryhet vetëm përgjim telefonik apo elektronik dhe kur ka përgjim ambiental, apo kur përdoren video e foto.
Sipas udhëzimit, përgjimi i komunikimeve elektronike të një personi, të një numri telefoni me telefon, faks kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji, përgjimi i fshehtë me mjete teknike i bisedave në vende private, përgjimi me audio dhe video në vende private, lejohen vetëm kur procedohet: për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se shtatë vjet; për çdo vepër penale me dashje kur kryhet me anën e mjeteve të telekomunikimit apo përdorimit të teknologjive informatike ose telematike.
Ndërsa regjistrimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes lejohen vetëm kur procedohet për vepra të kryera me dashje për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se tre vjet. Sipas udhëzimit, përgjimi mund të urdhërohet kundër: të dyshuarit përkryerjen e një vepre penale; personit që dyshohet se merr ose transmeton komunikime nga i dyshuari; personit që merr pjesë në transanksione me të dyshuarin; personit, vëzhgimi i të cilit mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose të identitetit të të dyshuarit.
Kompetencat
Në udhëzim janë dhënë detaje dhe mbi kompetencat për të kryer përgjime. Ato realizohen së pari, me kërkesën e prokurorit. Më pas, gjykata autorizon përgjimin me vendim të arsyetuar, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur në ngarkim të personit ekziston një dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se ka kryer një vepër penale. Së dyti, kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t’i vijë një dëm i rëndë hetimeve dhe plotësohen kushtet e paragrafit 1, të këtij neni, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë nga marrja e vendimit.
Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren. Apo kur njëri nga dy personat që do të përgjohen është i gatshëm të kryejë dhe të regjistrojë veprimin përkatës, sipas marrëveshjes me oficerin e policisë gjyqësore, veprimi lejohet me autorizim të prokurorit. Pas kërkesës së prokurorisë, gjykata merr vendim të arsyetuar në dhomë këshillimi, brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës së prokurorit. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për përgjim mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 24 orëve.
Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t’i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të arsyetuar të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 15 ditësh, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni, dhe rezultatet e përgjimit diktojnë nevojën e zgjatjes së afatit.
Kliti Topalli