Ish-ministri i Arsimit në Greqi dhe deputet i partisë qeverisëse Syriza, Nikos Filis ka thënë se Kostandino Kaçifa u vra në jug të Shqipërisë dhe jo në Vorio-Epir, sikurse përflitet në qarqet anti-shqiptare.
“Është Jugu i Shqipërisë. E them sërish dhe jam i kujdesshëm në atë që them.
Është Jugu i Shqipërisë dhe jo Vorio-Epiri.
Janë territore shqiptare, ka dominim të popullsisë shqiptare dhe aty jeton edhe minoriteti grek, që fatkeqësisht është në një masë të vogël për shkak se janë larguar.
Por kjo është histori tjetër“, – ka thënë Nikos Filis.
Deputeti grek ka argumentuar gjithashtu se veprimi i policisë shqiptare, që iu kundërpërgjigj breshërisë së kallashnikovit të qëlluar nga Kostandino Kaçifas, është tërësisht i mirëkuptuar.
“Një person merr kallashnikovin në një vend të huaj dhe ngre flamurin grek.
E imagjinoni dot sikur një turk të vijë në Traki me kallashnikov dhe të ngrejë flamurin turk e të qëllojë kundër policisë, çfarë do të thonit”, – argumenton deputeti dhe ish-ministri grek Nikos Filis.