Helidon Bendo u komandua në krye të SHISH që në 30 tetor të vitit të kaluar, ndërsa ditën e sotme, 12 muaj më vonë, presidenti Ilir Meta e ka zyrtarizuar, duke e dekretuar emërimin e tij.
Prej mëse një viti ai mbante detyrën e zv.drejtorit të SHISH. Ndërkohë, sipas formularit të vetëdeklarimit Helidon Bendo rezulton se ka dy identitete.
Emri i tij i dytë është Johan Bendo. Vetë Bendo shkruan në formular se këtë emër e ka përdorur gjatë qëndrimit të tij në Greqi nga korriku i 1991 deri në nëntor 1993 si emigrant.
Ndonëse pak i panjohur për publikun, sqarojmë se Bendo u emërua në detyrën e zv.drejtorit të SHISH me dekret të Presidentit Nishani një vit më parë.
Përpara kësaj detyre, prej 7 vitesh ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë në Aparatin Qendror (AQ) të SHISH. Bendo ka eksperiencë 21 vjeçare në SHISH ku ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në AQ.
Bendo ka lindur më datën 12 Maj 1971 në qytetin e Korçës. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Ai është diplomuar në vitin 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si edhe një trajnim tre-mujor në fushën e sigurisë pranë Universitet George Toën në SHBA. Gjithashtu, Bendo ka kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë brenda e jashtë vendit.