Insitucioni më i mistershëm në Shqipëri apo Shërbim Informativ i Shtetit (SHISH) ka tashme shefin e vet te dekretuar nga presidenti Meta. Quhet Helidon Bendo. I diplomuar për matematikë.
Është i 10-ti pas vitit 1990, me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, kur Organet e Sigurimit të Shtetit që funksionin gjatë regjimit komunist u reformuan, duke iu përshtatur kërkesave të shtetit ligjor.
Kur në vitin 1991 u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar, me Ligjin nr. 7495, datë 02.07.1991, “Për organizimin e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK)”, drejtori i parë i tij ishte Irakli Koçollari, i cili vinte pas një karrierë të pasur në fushën e diplomacisë, me disa detyra të larta pranë shërbimeve diplomatike Shqiptare në Evropë.
Historiani Koçollari, i emëruar nga kryeministri Fatos Nano, qëndroi më pak se një vit, gati dhjetë muaj: nga 1 gushti i vitit 1991 deri në 29 qershor 1992.
Drejtori i dytë ishte Bashkim Gazidede, i emëruar nga Aleksandër Meksi, por më tepër i afërt me Presidentin Sali Berisha. Gazidede ishte i diplomuar Fakultetin e Shkencave të Natyrës, për matematikë. Pesë vjet në krye të SHIK-ut, siç quhej asokohe: nga 29 qershor 1992 deri 09 prill 1997.
Periudha e Gazidedes në krye të SHIK-ut përkoi në vitin e fundit të tij me ngjarjet e vitit 1997, kur në Shqipëri mbizotëroi kaosi për shkak të revoltës popullore si pasojë e krizës financiare nga rënia e skemës së piramidave.
Pas formimit të Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar – në periudhën e Kryeministrit Bashkim Fino – u komandua Astrit Kodra (09 prill 1997 deri 29 maj 1997), për t’ia lënë vendin Arben Karkinit (29 maj deri më 21 gusht 1997).
Me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet, kryeministri Fatos Nano emëroi pedagogun e Fizikës, Fatos Klosi, i cili qëndroi pesë vjet në detyrë: nga 21 gusht 1997 deri në 7 gusht të vitit 2002.
Gjatë kohës së Fatos Klosit, në vitin 1999, me Vendimin nr. 61, datë 22.11.1999, të Gjykatës Kushtetuese të RSH-së, ndryshohet emërtimi nga Shërbim Informativ Kombëtar (SHIK) në Shërbim Informativ i Shtetit (SHISH).
Pasuesi i Klosit është Petrit Myftari (me komandim), për një periudhë të shkurtër tremujore: 07 gusht 2002 deri 18 nëntor 2002, kohë që përkon me Fatos Nanon si kryeministër.
Kujtim Hysenaj, një ish- ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi në vitet 1986-1992 do të ishte shefi i radhës i SHISH-it për një periudhë më diçka më shumë se dy vjet: 18 nëntor 2002 deri më 27 janar 2001. Hysenaj vdiq gjatë ushtrimit të detyrës.
Në vend të tij, kryeministri Fatos Nano emëroi Bahri Shaqirin. I diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Shaqiri qëndroi për një periudhë pesëvjeçare (27 janar 2001 deri, më 9 gusht 2012) e që përkoi edhe me kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha. Janë të njohura marrëdhëniet e ftohta midis tyre, sidomos pas ngjarjeve të 21 janarit të vitit 2011.
Më 8 gusht të vitit 2002, kryeministri Sali Berisha i befasoi të gjithë kur emëroi Visho Ajazi Likën në krye të SHISH-it. Kjo për faktin, se ai kishte dy pasaporta: shqiptare dhe atë kanadeze. Madje në atë kohë ai jetonte në Kanada.
Edhe Visho Ajazi Lika ishte diplomuar për matematikë si Bashkim Gazidede.
Pas ardhjes të Partisë Socaliste në pushtet (8 shtator 2013), Kryeministri Edi Rama nuk shprehu asnjë simpati për Visho Ajazi Likën, por nga presioni i amerikanëve nuk arriti ta shkarkojë dot atë.
Gjithsesi, sot erdhi edhe dorëheqja e ti shkodranit 61-vjeçar. Visho Ajazi Lika qëndroi në detyrë nga 09 gusht 2012 deri 30 tetor 2017.l
Tashmë në krye të SHISH-it kemi drejtorin e 10-të të tij. Helidon Bendo. Edhe ky i diplomuar për matematikë. I treti i tillë.
(Roland Qafoku)