Në lamtumirat e trishta, humbjet e mëdha të shkurtit është, pa dyshim, edhe vdekja e parakohshme e artistit të shquar Naim Frashëri. Ai u nda nga jeta më 18 shkurt 1975. Ishte një goditje për artin skenik, mbi të gjitha, një artist potent që kishte dominuar skenën me kryerole të dramaturgjisë botërore e asaj kombëtare për 20 vjet rresht, sidomos me Hamletin e Shekspirit. Sot i bëjmë homazh këtij emri të madh të teatrit shqiptar, në 42- vjetorin e ndarjes nga jeta.
***
Natën, në të gëdhirë të 18 shkurtit Naimi, i shqetësuar dhe me një gjendje të rënduar shëndetësore, që nuk e tregonte hapur, fjeti vetëm. U ngrit disa herë se kishte shqetësime e dhimbje, tregonte e motra. Në mëngjes nuk u ngrit për të vajtur në punë, në Institut. Violeta, e shoqja, i thirri: “Ngrehu Naim, se vajti ora!” Kur ajo iu afrua, pa me tmerr sesi ishte mbledhur e kishte shtrënguar duart nga një sforco e jashtëzakonshme. Nuk jepte shenja jete. Vdiq nga një shtrëngesë e fortë, pa shqetësuar njeri”. Ishte 18 shkurt 1975. Jashtë bënte ftohtë e frynte një erë e lehtë ngjethëse. Më 19 shkurt gazeta “Zëri i Popullit” botoi nekrologjinë e vdekjes. (Pak kohë më vonë u botua edhe një artikull i gjatë për të ku, mes të tjerash shkruhej edhe këtë fjali: “Heshtni liliputë përpara zërit dhe figurës më të ndritur të Artit, Naimin Frasheri!”).
Për organizimin e ceremonive të varrimit u ngrit një komision shtetëror. Homazhet bëheshin në hollin e Komitetit Ekzekutiv, nga ora 9.30-10.00. Përcjella për në varreza u bë në orën 10.00. Funerali i Naim Frashërit qe një manifestim i popullit që vërshoi në dyert e Komitetit Ekzekutiv për t’i bërë homazhe e për ta ndjekur me dhimbje largimin e tij… Gjatë rrugës ku kalonte funerali, i ndjekur nga mijëra e mijëra qytetarë, shikoheshin anës bulevardit punëtorë të ndërmarrjeve të ndryshme që kishin lënë punën e përcillnin artistin. Fjalën e lamtumirës e mbajti ministri Thoma Deljana. Varrimi u shoqërua me marshe funebre e me tri breshëri qitjesh nga një grup pushkatarësh…. Një dhimbje e humbje e madhe për artin! Por, në një farë mënyre, “Artistin e Popullit” e “vranë”, e vdiqën para kohe. Dhe ja pse?
***
Fillimi i viteve 70-të ka qenë i tmerrshëm për ata që e përjetuan atë kohë në Teatrin Kombëtar. U krijua një klimë mbytëse, një frymë e keqe mes aktorëve, saqë ndikoi jo vetëm në nivelin e artit, por edhe në ecurinë e mëtejshme të institucionit. Naim Frashëri ishte njëri prej viktimave, heronjve të heshtur të kësaj lufte. Në vitin 1970 ai kishte arritur gjithçka, titujt e lartë, “Artist i Popullit”, “Hero i Punës Socialiste”, deputet, sekretar Partie i Teatrit Kombëtar, por, përsëri, nuk ishte i përkëdheluri i regjimit. Ishte artist me sedër të madhe e me guxim të pashoq. Nuk bënte kompromise. Njerëz mediokër deshën “t’i ulnin hundën” se nuk e duronin dot shkëlqimin e tij. Për këtë shpifën sepse kishin mbështetjen edhe nga lart. Për dy gjëra mund të gjeje belanë në atë regjim, për agjitacion e propagandë dhe për çështje morali. Për të parën nuk e kapnin dot Naimin, ndërsa për të dytën shfrytëzonin nurin skenik, shfaqjet e partneret e shumta në skenë, ligësinë që e ushqenin njerëzit pa moral.
Shpifën derisa e vranë shpirtërisht. Kërkoi dorëheqjen nga trupa e teatrit për të shkuar në ILA, si pedagog. Ai e kishte të lidhur jetën e tij me skenën e TK, por ja që e detyruan maskarenjtë. Naim Frashëri kishte kritikuar hapur nivelin e dobët të pjesëve që viheshin në teatër, angazhimin dilentat të disa aktorëve dhe keqpërdorimin politik. “Unë mendoj, shkruante Naimi, se Teatri Qendror nuk duhet të kthehet në laborator për veprat e dobëta. Kjo punë të bëhet jashtë teatrit”. Në vitet 60-të, pas heqjes së repertorit të huaj, një sërë veprash skematike u vunë në skenën e TK, aq sa i morën frymën. Për t’u evidentuar veprat e Fadil Paçramit vinin njëra pas tjetrës, në çdo sezon.
Mediokritete! Përplasja me Paçramin ishte e fortë, por Naimi ishte i guximshëm dhe trim. Kur Paçrami i tha Naimit: “Do të ishte më mirë të dilnit në pension”, ky i tha: “Dil ti më mirë, se e ke mbushur moshën, je bërë edhe gjysh!”. Ishte i guximshëm. Në Teatrin Kombëtar, kur u ashpërsua lufta e klasave e frymëzuar nga diktatori Enver Hoxha, Naimi i doli zot Ilia Shytit, kur deshën ta përjashtojnë, për shkak të arratisjes së vëllait, ruajti të paprekur reputacionin e aktorëve të talentuar Sandër Prosi e Prokop Mima, kur ata nisën t’i përgojojnë për të “kaluarën e tyre të paqartë”, iu bë mburojë aktorit të ri Bujar Lako, kur atë donin ta hiqnin “për arsye biografie”, shoqërohej me aktorët e rinj Bexhet Nelku, Robert Ndrenika, Timo Flloko, kur mbi ta ranë “hijet” e analizës biografike.
Naimi ishte dhe mbeti njeri i madh, pavarësisht veshjes partiake. Nga mbrojtja që u bëri Naimi të “deklasuarve”, atyre që kishin “njolla në biografi”, nga burrëria e tij nëpër mbledhje, kur ua kthente fjalën edhe të deleguarve të rëndësishëm të Partisë, bindemi se ishte njeri i ndershëm, mishërimi i virtyteve më të mira shoqërore. Personaliteti i tij nuk përcaktohej nga bindjet politike. Drita Pelinku, aktorja e shquar, partnere në disa role, shkruante për të: “Ai u largua nga Teatri para shfaqjes “Familja e peshkatarit”. Ky largim i preu krahët Naimit. Largimi e vrau atë. Kur erdhi ta luante “Familjen e peshkatarit” në fund, për regjistrim në TV, ishte njeri i heshtur, që kishte një dramë. Ai nuk jetonte dot pa skenën…”. Ndërsa Ilia Shyti, thoshte: “Të paaftë gjetën rastin të merreshin me thashetheme, po ishte edhe cmira e të aftëve, ambiciet profesionale, që u shfaqën në teatër, në një formë a në një tjetër”.
Ndërsa Agim Zajmi e përmbyll: “Pas mbledhjesh të shumta partie, ku ai u sulmua nga “komunistë të devotshëm” dhe ku u vu në dyshim e tërë krijimtaria e tij, Naimi u shqetësua. Ishte një pikëllim i madh”. “Teatri në ato kohë u bë shumë i vështirë, kujton Pirro Mani. Naimi iku, edhe unë ika një vit pas tij. Përmbi teatrin rrinin Komiteti ekzekutiv, Ministria e Arsim-Kulturës, Ministria e Brendshme…Qe një atmosferë mbytëse…Në këtë gjendje të rëndë ideologjike, shpirtërore, me një thashethemnajë të madhe, Naimi e pa të arsyeshme që të largohej. Qe një shok psiqik. Ai u largua në kulmin e pjekurisë artistike, artistë të tillë i duheshin teatrit”. Punën e pedagogut Naimi e bënte me shumë pasion, duke sakrifikuar gjithçka nga përvoja e tij si aktor.
Naimi pinte shumë cigare, madje cigare të lira.. Gishtat i ishin zverdhur nga nikotina. Mushkëritë e tij ishin bërë copa dhe kolla e shqetësonte vazhdimisht. “Vitet e fundit Naimi ndiente vazhdimisht dhimbje, kujton e motra Sofo. Herë pas here e zinte kriza e pankreasit. Në fillim na vdiq nëna, të cilën ai e donte shumë. “Më duket se edhe unë e kam pankreasin”, thoshte. Dhe në të vërtetë vdiq nga kjo sëmundje, pankreas akut, pas katër muajsh. Vdiq në shtëpi, as që e morën vesh”. “Naimi vdiq i varfër, thoshte regjisori Esat Oktrova, edhe si njeri, edhe si aktor, ai ishte si një vullkan i heshtur”.
Artisti që ia kushtoi jetën teatrit, që mishëroi mbi 100 role në skenë e ekran, për 35 vjet me radhë, përjetoi më në fund, edhe dramën e vet vetjake, me fundin tragjik.
Naim Frashëri mbetet një nga aktorët tanë më të shquar të skenës, i vlerësuar, përveç titujve “Artist i popullit” dhe “hero i Punës”, edhe me Çmimin e Republikës kl.I, me titullin e lartë “Nder i Kombit” dhe së fundi edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Përmetit.