Me mijëra qytetarë nga Korça, por edhe qytete të tjera, iu bashkuan një proteste të organizuar nga tifozët e skuadrës së futbollit në Kategorinë Superiore, si pjesë e kontestimeve për raportin e inspektorëve të UEFA-s që inkriminon Skënderbeun.
Intelektualë, figura të artit, tifozë, të rritur e deri te sportistë të vegjël ishin me pankarta në duar “Mos na vrisni ëndrrën”. Një thirrje simbolike për UEFA-n që të mos dënojë Skënderbeun.
Tubimit i janë bashkuar pedagogu Gjergji Mero, aktorja e njohur Zamira Kita, Guri Koço dhe ikonat e futbollit korçar e atij shqiptar, Dhimitraq Xhambazi e Teodor Vaso, të cilët i kanë kërkuar UEFA-s të mos e dënojë ekipin e Skënderbeut.
Në raportin e inspektorëve të Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s kërkohej dënimi i ekipit korçar, bazuar në dyshime, me 10 vite përjashtim nga Kupat e Europës dhe një milion euro gjobë.